Eksperti: Vendimi i Hagës për Pavarësinë, me 2 interpretime
Sipas një eksperti ndërkombëtar, çështja e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, e cila hapet nesër në Hagë, do të përfundojë me një variant, që do t’i lërë vendin dy interpretimeve të ndryshme për secilën palë. “Rreziku që e ka marrë Serbia me daljen përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk është i madh, sepse Kosova faktikisht nga viti 1999 nuk është në pushtetin serb”, tha eksperti i të drejtës ndërkombëtare (ish-përfaqësuesi i Serbisë në këtë gjykatë, në padinë e Bosnjës e Hercegovinës), Tibor Varadi, në një intervistë për gazetën serbe, “Politika”. Sipas tij, nuk është e përjashtuar mundësia që mendimi këshillues i GJND mbi shpalljen e pavarësisë të jetë ashtu që të mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, respektivisht, që edhe pala serbe edhe ajo shqiptare mund ta trajtojnë si fitore të vetën në shkallën më të lartë gjyqësore në botë. Profesor Varadi tha se mendimi këshillues s’e obligon askënd por ka peshë të madhe politike. “Me siguri do të ketë argumente se kjo nuk është çështje juridike dhe gjykata me këtë nuk duhet të merret. Por vërtetë do të befasohesha jo për të mirë sikur gjykata do t’i pranonte ato argumente”, tha ai. Sa për variantin nëse mundet që gjykata të shpallet jo-kompetente për të dhënë mendimin, ai tha se “do të ketë iniciativa në këtë rrafsh, para se gjithash nga Prishtina, dhe të disa vendeve tjera që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo kjo është çështje juridike “par exellence” dhe si të tillë e ka kualifikuar edhe AP e KB. Qëndrimi tjetër do të ishte i çuditshëm në këto rrethana. Megjithatë do të ketë edhe shtete të tilla, të cilat sinqerisht janë të interesuara që instanca më e lartë juridike e botës të jap mendimin për këtë çështje të ndërlikuar, sepse nga njëra anë keni të drejtën e popujve për vetëvendosje, e në anën tjetër parimin e sovranitetit, dhe, këto dy principe nuk është lehtë gjithmonë të bashkohen. Argumentet që i parqet pala jonë dhe që kam pasur rast t’i shoh, janë hartuar mire dhe kanë peshë të konsiderueshme”, tha Varadi. Nëse Gjykata do të jepte mendimin se shpallja e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare Varadi thotë se ai nuk sheh ndonjë ndryshim të situatës pas kësaj. “Nëse gjykata do të mbetet në qëndrimin e tillë, Kosova nuk do të na merrej edhe njëherë, ajo faktikisht që nga viti 1999 nuk është në pushtetin serb. Gjendja faktike nuk do të ndryshohej, por ajo do të bëhet më e fortë se deri më tani. Por nëse gjykata të marrë vendimin se me shpalljen e pavarësisë është shkelur e drejta ndërkombëtare, kjo atëherë mund edhe njëherë t’i hap dyert e negociatave”, vlerëson Varadi.