Frederik Stamati: Mungesa e godinës ka paralizuar punën e institutit
Prej disa kohës puna restauruese në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë është pezulluar. Ky institut i vendosur në një prej banesave më të njohura për historinë e saj, pikërisht në atë të Toptanëve, tashmë ka kaluar për një kohë të
pacaktuar në IMK. Kjo banesë e ndërtuar në vitin 1820 ka mbetur sot në një gjendje të mjerueshme. Banesa mban statusin e monumentit të kategorisë së parë, por ndodhet në një situatë të paqartë mes pronarëve dhe laboratorit të restaurimit, i cili deri para disa kohësh qëndronte në këto ambiente, ndërkohë që kjo gjendje mban pezull ndërtesën. Drejtuesi i këtij instituti Frederik Stamati pohon se kjo situatë ka pezulluar punën, por është me pasoja dhe për shumë objekte që kanë qenë në proces restaurimi në këtë institut. Kjo situatë na ka paralizuar punën. Për momentin ne jemi në IMK, por shteti duhet të na gjejë një godinë, dhe ne tani si institut jemi nën varësi të QSA, tregon Stamati. Nga ana tjetër, drejtues të Qendrës së Studimeve Albanologjike, nga e cila varet edhe laboratori i restaurimit janë shprehur se janë të gatshëm që situata të zgjidhet, por duhet kohë. Sot nga banesa 190 vjeçare, kanë mbetur pak gjëra të hershme. Prej 7 vitesh ndërtesa në rrënim e sipër, u ishte kthyer pronarëve të ligjshëm, familjes së Libohovës, të cilët së fundi kanë kërkuar zbrazjen e pronës së tyre, pas kësaj prej disa javësh, dyert e laboratorit janë mbyllur. Sipas shefit të Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, Frederik Stamati, fati i këtij institucioni është ende duke u diskutuar dhe nuk dihet se pjesë e cilës strukturë shtetërore do të jetë ai. Ne kemi propozuar krijimin e një Laboratori Qendror të Restaurimit nën Institutin e Trashëgimisë Kombëtare, për ngritjen e të cilit është propozuar edhe një platformë. Sipas propozimit tonë, laboratori duhet të pajiset me infrastrukturën e duhur, me qëllim që aty të kryhen analizat kimike e fizike, të cilat deri më sot i kemi kryer në bashkëpunim me Fizikën Bërthamore, apo jashtë vendit. Të gjitha këto janë të nevojshme për ti paraprirë restaurimit të objekteve, shpjegon më tej drejtuesi Stamati. Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit është i vetmi në llojin e vet në Shqipëri. Ai gjatë kësaj kohe funksiononte vetëm me dy punonjës dhe një buxhet të papërfillshëm, por dhe mes kaq shumë problemesh ai ka përballuar të gjithë volumin e punës që ai ka pasur gjatë këtyre viteve sa i takon restaurimeve. Në vijim të punës së tij, në laborator janë restauruar 660 monedha nga Antigonea. Gërmimet e shumta arkeologjike të kryera në Antigone, që nga vitet 60 e deri sot, sidomos nga Dhimosten Budina, kanë zbuluar ndër të tjera një numër të madh monedhash. Këto ishin gjetjet kryesore të një zbulimi arkeologjik, sepse ato datojnë sitin, zbulojnë lidhjet tregtare, pra qarkullimin monetar, orientimin e tregtisë, volumin dhe nivelin e shkëmbimit të mallrave, pra zhvillimin. Sipas drejtorit të Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë Frederik Stamati, monedhat e zbuluara kanë pasur probleme për ruajtjen dhe studimin, të shkaktuara nga qëndrimi në tokë për më shumë se 2100 vjet. Por falë punës së bërë ato u ekspozuan për publikun. Ndërkaq që veç këtyre objekteve, aty janë restauruar dhe shumë të tjera. E ndërkohë si kërkesë urgjente specialisti Stamati para disa kohësh kërkonte që ky laborator që merret me restaurimin e objekteve arkeologjike të ketë më shumë personel. Sipas tij, laboratori duhet të ketë patjetër më shumë personel, pasi janë shumë objekte arkeologjike, të cilat duan patjetër më shumë kuadro të specializuar për të kryer restaurimin tyre.
Nga Julia Vrapi