E Diel, 1 Nëntor 2026

Freedom House: “Përkeqësohet liria e shtypit në Shqipëri”

Publikohet raporti vjetor për standardet e lirisë së shtypit

Albert Gjoka

Shqipëria vazhdon të renditet e fundit në rajonin e Ballkanit, duke shënuar tregues gjithnjë e më negativë të lirisë së shtypit. Ky konstatim bëhet në indeksin e përvitshëm që nxjerr agjencia prestigjioze “Freedom House”, me qendër në Uashington. Edhe gjatë vitit që lamë pas, ekspertët e kësaj qendre e kanë listuar Shqipërinë në grupin e vendeve “pjesërisht të lira”, me 50 pikë, e klasifikuar në renditjen botërore, në vendin e 102-të. Krahasuar me një vit më parë ka zbritje të treguesve të lirisë së shtypit, por prej gjashtë vitesh standardet tona vlerësohen në grupin e 50 pikëve. Viti që lamë pas shënoi jo pak përplasje mes shtypit dhe maxhorancës, ku u shfaqën raste të presioneve financiare ndaj gazetave, apo edhe presione apo dhunime gazetarësh. Këtë vit, kampionia e lirisë së mediave është Finlanda, ndërsa armikja e shtypit, në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit, është Koreja e Veriut.

Shqipëria, pjesërisht lirë
Liria e shtypit, një nga standardet kryesore të demokracisë së një vendi, edhe për 2010-n ka mbetur në vendnumëro në Shqipëri. Freedom House publikoi dje indeksin vjetor të parametrave të lirisë së shtypit në të gjithë botën, duke marrë në shqyrtim standardet e 196 shteteve të botës. Gjendja në Shqipëri nuk ka ndryshuar nga viti në vit, duke mbajtur në një nivel të klasifikuar “pjesërisht lirë” standardet e lirisë ligjore, politike dhe ekonomike. Të tria këto parametra kanë qëndruar në kuotat e 50 pikëve, të pandryshueshme që prej gjashtë vitesh. Gjithsesi, për vendin tonë shënohet në zhvillim negativ, duke zbritur me një pikë në renditjen botërore, nëse e krahasojmë me raportin e një viti më parë. Fatkeqësisht, Shqipëria, bashkë me Kosovën, listohen të fundit në rajonin e Ballkanit, duke lënë pas edhe shtete të tilla si Bosnja apo Serbia. Ky klasifikim që kanë bërë ekspertët amerikanë tregon se standardet e lirisë së medias në përgjithësi dhe të shtypit në veçanti u shkon përshtat shqetësimeve të vazhdueshme që kanë shprehur raportet e mëparshme të Komisionit Europian, të Departamentit Amerikan të Shtetit, apo organizatat prestigjioze ndërkombëtare.

Shtypi i shtypur
Aktualisht, industria e shtypit në Shqipëri, por edhe parametrat e saj të lirisë, konsiderohen ndër më të ulëtat e 5-vjeçarit të fundit. Kriza financiare në përgjithësi, presionet politike, mungesa e infrastrukturës së shpërndarjes për median e shkruar, si dhe dhënia e fondeve të reklamave sipas politikave të trafikut të influencave e kanë vënë median në një stad mbijetese. Gjatë vitit të kaluar u mbyllën dy të përditshme shqiptare. Gjatë këtij viti terreni është më i vështirë. Ekspertët e huaj flasin edhe për krijimin e një klime autocensure te “punëtorët” e medias, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre punojnë në të zezë, me rrezik të lartë social dhe kushte të vështira. Raporti më i fundit i Freedom House është në të njëjtat linja me indekset apo monitorimet e organizatave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

TRENDI
Kohë e keqe për lirinë e shtypit

Organizata për mbrojtjen e shtypit “Freedom House” vë në dukje se liria e shtypit në botë pësoi rënie për të tetin vit me radhë. Ajo thotë se zmbrapsjet më të ndjeshme u vunë re në Amerikën Latine, në Ekuador, Venezuelë, Meksikë, Honduras dhe në Nikaragua. Kjo organizatë, me seli në Shtetet e Bashkuara, thotë gjithashtu se Rusia vazhdon të jetë një prej vendeve me mjedis më të rrezikshëm për shtypin, ku ky i fundit nuk gëzon liri.
10 vendet me më pak liri shtypi janë: Bjellorusia, Birmania, Kuba, Guineja Ekuatoriale, Eritrea, Irani, Libia, Koreja e Veriut, Turkmenistani dhe Uzbekistani.
Sipas raportit, rajoni i Azi-Paqësorit është i vetmi që përmirësoi lirinë e shtypit vitin e kaluar. Edhe Izraeli ka bërë përparimin në heqjen e kufizimeve ndaj shtypit, të cilat u vendosën gjatë ofensivës së Gazës, që përfundoi në fillim të vitit të kaluar. Ndërsa Europa Qendrore dhe Lindore, ku përfshihet edhe Shqipëria, shënoi një rënie të vogël krahasuar me një vit më parë

“Reporterët pa kufi” e zbresin Shqipërinë 9 shkallë

Edhe “Reporterët pa kufi” kanë konstatuar përkeqësim të standardeve të medias në Shqipëri. Në raportin e publikuar në tetor të vitit 2009, vendi ynë u listua në vendin e 88-të mes 175 vendeve që përfshihen në indeksin e përvitshëm. Krahasuar me vitin paraardhës u regjistrua një përkeqësim me 9 shkallë. Në prezantimin për gjendjen e shtypit në Shqipëri përmenden rastet e gazetës “Tema”, ku qeveria i nxori nga mjediset e marra me qira nga shteti, si dhe gjoba e KKRT-së ndaj kanalit televiziv “News 24”. Duke parë treguesit e “Reporterët pa kufi” që nga viti 2003, kur Shqipëria ishte në vendin e 34-t mes 135 shteteve të përfshira në indeksimin e lirisë së shtypit, pozicionimi flet për një përkeqësim të mjedisit mediatik.

DHJETË VENDET E LIRA

1- Finlanda
2- Islanda
3- Norvegjia
4- Suedia
5- Danimarka
6- Belgjika

BLLOKU I SHQIPËRISË

100 - Argjentina
101- Haiti
102- Shqipëria
103- Komorres
105- Maldivet
106- Tanzania

VENDET JO TË LIRA
191- Kuba
192- Eritrea
193- Libia
194- Burma
195- Turkmenistani
196- Koreja e Veriut

EUROPA QENDRORE DHE LINDORE
Të lira (Free), 8 shtete
Pjesërisht të lira, 11 shtete
Jo të lira, 10 shtete

KRAHASIMI ME RAJONIN
Serbia, 34 pikë
Mali i Zi, 37 pikë
Kroacia, 40 pikë
Maqedonia, 46 pikë
Bosnjë-Hercegovina, 48 pikë
Shqipëria, 50 pikë
Kosova, 53 pikë

SHQIPËRIA SIPAS VITEVE
Viti Pikët Renditja
2010 50 pikë 102
2009 50 pikë 101
2008 50 pikë 105
2007 50 pikë 107
2006 50 pikë 107
2005 51 pikë 107
2004 49 pikë 105

Indeksi i FRIDE: Shqipëria me demokraci të brishtë

Edhe raporti më i fundit, i publikuar nga agjencia prestigjioze ndërkombëtare “FRIDE”,
me qendër në Madrid, konstaton parametra të paqëndrueshëm të lirisë në Shqipëri. Në raportin më të fundit që publikoi më 22 prill të këtij viti thuhet se edhe tani, pas dy dekadash, që nga rënia e sistemit komunist, demokracia në Shqipëri vazhdon të mbetet e brishtë. Megjithëse vendi ka bërë hapa të konsiderueshëm drejt Europës, sërish mbeten probleme në funksionimin e shtetit ligjor, pavarësinë e gjykatave, zgjedhjeve, pavarësisë së medias dhe kontrollit mbi fenomenin e korrupsionit.
Duke iu referuar raportit të kësaj organizate theksohet se zgjedhjet paraqitën progres, por patën probleme, duke u politizuar votimi, si dhe pati parregullsi në procesin e numërimit dhe në nxjerrjen e rezultateve. Dokumenti vijon më tej se bojkoti i opozitës ka dobësuar institucionet demokratike në vend, por ka përkeqësuar edhe perceptimin mbi zhvillimin e zgjedhjeve në vendin tonë. Sipas raportit të agjencisë "FRIDE", vihet në dukje se në këtë drejtim Shqipëria renditet pas vendeve të rajonit, ndërsa ka një përshtatje të varfër të legjislacionit me atë europian, nisur kjo edhe nga përshtatja e tij, sipas preferencave partiake. "Ineficienca në zbatimin e ligjit ka ulur gjithashtu rregullat e shtetit ligjor në Shqipëri. Problemi më shqetësues është institucionalizimi i shtetit ligjor.
Raporti thekson se pavarësia e Gjyqësorit është e vogël, duke u dhënë hapësirë veprimi ndërhyrjeve të qeverisë, politizimit të hetimeve dhe përhapja e korrupsionit brenda sistemit gjyqësor. Sipas raportit, megjithëse ka pasur një rritje të kontrollit ndaj korrupsionit, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Raporti sjell në vëmendje edhe pavarësinë e medias, duke specifikuar se media vuan nga një kuadër i dobët ligjor, si dhe nga presionet politike dhe ekonomike ndaj saj. Raporti i "FRIDE" shton se kjo klimë në të cilën shumë media janë të varura nga burimet e financimit, i detyron ato të promovojnë axhendat e caktuara ekonomike apo politike.

30 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›