SITUATA POLITIKE, Raporti: “Shqipëria në BE, pas vitit 2015”
Raporti vëren se korrupsioni është i përhapur dhe BE-ja ka bërë thirrje për marrjen e masave të ashpra antikorrupsion. Ndërsa Kushtetuta garanton lirinë e fjalës, ndërhyrja e bizneseve të fuqishme, si dhe interesat politike dhe të medias pengojnë zhvillimin e mediave të pavarura. Kushtetuta, thuhet gjithashtu në raport, garanton një juridik të pavarur, por gjykatat janë objekt i presionit politik. Freedom House e vë theksin në raportin e saj tek akuzat për korrupsion, që përfshin qeverinë e kryeministrit Sali Berisha dhe abuzimet në detyrë të vitit 2008, duke përfshirë edhe shpërthimin e Gërdecit. Megjithatë, thuhet në raportin e Freedom House, Partia Demokratike e zotit Berisha arriti të siguronte një fitore të ngushtë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, të cilat u mbajtën në bazë të Kodit të ri Elektoral, i miratuar nga fundi i vitit 2008. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve përshëndetën përmirësimet në një numër fushash, por përmendën edhe probleme, mes tyre mungesa e medias së pavarur, abuzimi i burimeve shtetërore, presioni politik ndaj punonjësve të sektorit publik dhe manipulime në procesin e numërimit të votave. Freedom House vë në dukje se Shqipëria u pranua zyrtarisht anëtare e NATO-s në prill të vitit të kaluar dhe më pas, po atë muaj, aplikoi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, me të cilin ka arritur Marrëveshjen e Stabilizim - Asocimit. Megjithatë, thuhet në raport, anëtarësimi në BE nuk është i sigurt dhe nuk do të bëhet realitet para 2015-s. Freedom House konstaton se gratë janë të përfaqësuara pak në institucionet qeveritare, ndërkohë që dhuna në familje, e cila mendohet të jetë shumë e përhapur, dënohet shumë rrallë nga autoritetet. Në raport thuhet se Bashkimi Europian njoftoi në vitin 2009 se qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të luftuar trafikimin e grave e të fëmijëve, por burimet humane dhe financiare nuk janë të mjaftueshme.
30 Prill 2010