Shqipëria, e 80-ta në botë
Shqipëria u ngjit tre vende në ranglistën botërore të FIFA-s për muajin prill, duke u pozicionuar tani e 80-ta (e 83-ta në mars 2010) me 406 pikë (+17 pikë rritja). Në Europë, Kombëtarja jonë (e 39-ta) lë pas 14 vende. Më 25 maj, Kombëtarja e udhëhequr nga Josip Kuzhe do të zhvillojë ndeshjen miqësore me Malin e Zi në Podgoricë (takimi i dytë historik midis dy ekipeve, i pari 5-0 për Shqipërinë në vitin 1946), ndërsa më 2 qershor në “Qemal Stafa” do të luajë me Andorrën (ndaj saj kemi humbur 2-0 në vitin 2002). Mali i Zi renditet i 65-ti në FIFA (+5 vende rritja në prill), ndërsa Andorra e 201-ta. Josip Kuzhe e ka drejtuar Shqipërinë në katër miqësore dhe deri tani ka koleksionuar 2 fitore (Qipro, Irlandë e Veriut) dhe 2 barazime (Gjeorgji, Estoni). Takimi i parë zyrtar i kuqezinjve në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012-s është me Rumaninë në Bukuresht, më 4 shtator të këtij viti.
EURO 2012
Përsa u përket kundërshtarëve tanë në eliminatoret e Kampionatit Europian, lajmi i mirë është se tani kemi dy skuadra poshtë vetes: Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Franca ndodhet në Top-10 më të mirat e botës, por duke zbritur dy vende, tani e 10-ta. Rumania, kundërshtari ynë i parë zyrtar, ndodhet në vendin e 28-të (+4 vende në FIFA), Bosnja në të 51-ta (-4 vende), Bjellorusia në të 81-n (-1 vend) dhe Luksemburgu në vendin e 127-të (-3 vende).
BRAZILI
Renditja botërore kryesohet tani nga Brazili (+1, 1611 pikë), që nga ana e tij ka lënë pas Spanjën (-1, 1565 pikë) . Vendi i tretë mbahet nga Portugalia (+1, 1249 pikë).
Skënderbeu, kundër Shkumbinit, fati i sezonit
Skënderbeu është përpara një sfide shumë të rëndësishme si ajo kundër Shkumbinit, ku skuadrës korçare nuk i lejohet të gabojë për herë të tretë rresht në shtëpi. Në dy ndeshjet e fundit në Korçë, “djemtë e Red Bullit” humbën me Flamurtarin (0-1, java 27) dhe barazuan me Apoloninë (1-1, java 29), çka i kanë komplikuar jo pak pozitat e tyre edhe pas barazimit në Durrës me Teutën (0-0). Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa (i treti sezonal): “Kemi përpara një takim të vështirë. Shkumbini është nga ato skuadra që duhet respektuar si një nga takimet më të mira të këtij kampionat”. Shkumbini fitoi 1-0 ndeshjen e fundit, pikërisht ndaj kampiones së re të Shqipërisë, Dinamos, skuadër të cilën e eliminoi edhe nga Kupa e Shqipërisë (në çerekfinale), duke qenë i vetmi ekipi që i ka mundur katër herë blutë në këtë sezon. Gjithsesi, Shkumbini është i vetmi ekip që nuk ka fituar asnjë ndeshje në transfertë (4 barazime, 10 humbje), duke qenë lojtari më pak efektiv jashtë shtëpisë. Në dy takimet e para midis dy skuadrave: Shkumbini fitoi 1-0 në Peqin (faza e parë) dhe Skënderbeu fitoi 1-0 në Korçë (1-0). Për Skënderbeun në ndeshjen kundër Shkumbinit do të mungojnë Markoviç (i dëmtuar) dhe Asllani (i pezulluar me kartonë).
Lushnja, test me Sopotin e “falimentuar”
Lushnja pas fitores argëtuese 4-0 me Partizanin, humbi në superduelin me Bylisin (2-1), duke u barazuar me pikë me të kuqtë, nga 51, kur duhen edhe tri javë nga përfundimi i Kategorisë së Parë. Me avantazhin e golaverazhit (+40) ndaj Partizanit (+9), lushnjarët mbajnë vendin e katërt në renditjen pas javës së 27-të, teksa ndeshja e radhës u ofron Sopotin e Librazhdit, një ekip që renditet në vendin e fundit dhe ka shpallur “falimentimin”, pasi Bashkia e Librazhdit e ka bërë të ditur se nuk ka më lekë për futbollistët. Me bomberin më të mirë të Kategorisë së Parë në ekip, Dorian Bubeqin (20 gola nga 50 që ka shënuar ekipi), trajneri Artan Bano, e konsideron kundërshtarin e rrëzuar matematikisht nga kategoria, si një mundësi të shkëlqyer që përveç tri pikëve, mbajtjes pas shpine të Partizanit, por edhe thellimin e diferencës së golave e dhurimit të “këpucës së artë” kavajasit Bubeqi. Portieri i Lushnjës, Mikel Spaho: “Lushnjës i duhen nëntë pikë të plota në tri ndeshjet e fundit. Nëse e arrijmë këtë do të luajmë një ndeshje kualifikuese dhe i kemi të gjitha mundësitë për të kapërcyer në Superiore”.
Kur kanë mbetur edhe tri javë nga përfundimi i sezonit, situata në renditje është kjo: Bylis 66 pikë (kampion dhe i ngjitur në Superligë), Elbasani (53 pikë), Kamza (53 pikë), Lushnja (51 pikë) dhe Partizani (51 pikë). Sipas formulës së paracaktuar, vendet 1-2 të Kategorisë së Parë në përfundim të sezonit ngjiten direkt në Kategorinë Superiore, ndërsa ekipet e renditura në vendet 3 e 4 të Kategorisë së Parë zhvillojnë ndeshje plejouti me skuadrat që renditen në vendet 9-10 të Kategorisë Superiore.
Kalendari për katër ekipet e renditura nga vendi 2-5: Elbasani (53 pikë), Kamza (53 pikë), Lushnja (51 pikë) dhe Partizani (51 pikë).
Java 28
Gramshi-Partizani
Kamza-Bylis
Lushnja-Sopoti
Elbasani-Luftëtari
Java 29
Luftëtari-Kamza
Skrapari-Lushnja
Bilishti-Elbasani
Partizani-Burreli
Java 30
Partizani-Skrapari
Elbasani-Bylis
Lushnja-Besëlidhja
Kamza-Turbina
29 Prill 2010