Katër projektvendime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Kryebashkiaku Basha do t’u përgjigjet pyetjeve të këshilltarëve të PS
Punonjësit e Bashkisë së Tiranës duhet të marrin masa që në punë të prezantohen me veshje të përshtatshme, pa dekolte dhe pa modele e nuanca ekstravagante flokësh.
Është ky projekt vendimi i parë që do të hapë mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të zhvillohet më datën 2 maj.
Rregullorja e re për organizimin, funksionimin dhe ndarjen e detyrave e përgjegjësive në aparatin e Bashkisë vendos kritere strikte sa i takon veshjes dhe kodit të etikës që punonjësit duhet të përmbushin gjatë orarit të punës.
Një tjetër vendim i parashikuar është miratimi i vlerës maksimale të bonusit të strehimit për tri zona të rëndësishme, që përfshijnë hapësirat brenda unazës së vogël, atë ndërmjet dy unazave si dhe territoret periferike jashtë saj.
Këshillit do t’i paraqitet për miratim dhe projektvendimi për ndryshimin e buxhetit mbi miratimin e shpërblimit prej 2 milionë lekësh të reja sportistes Romela Begaj për arritje të rezultateve të larta sportive. Në fund do të diskutohet edhe drafti për miratimin e tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2013-2015.
Është kjo dosja e zbardhur e vendimeve që do të kalojnë për miratim në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak, që do të zhvillohet më datën 2 maj.
Në këtë mbledhje pritet që Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha të paraqitet në një interpelancë të thirrur nga këshilltarët e majtë të Këshillit Bashkiak ku kryebashkiaku duhet t’u përgjigjet pyetjeve lidhur me taksat dhe tarifat e hequra e të reduktuara, riklasifikimit të kategorisë së bizneseve, vjeljen e tabelës në rrugë dhe pretendime të tjera të Këshilltarëve të majtë.