E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Kosovës: Në zgjedhjet serbe do marrin pjesë vetëm qytetarët që disponojnë të dy pasaporta

01-05-2012 / Gazeta 55

Sipas marrëveshjeve të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, me ndërhyrjen e OSBE-së serbët e veriut do votojnë vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale dhe jo për ato lokale

“Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë duhet të përgëzohen për gatishmërinë e tyre për t’u siguruar votuesve me të drejtë vote mundësinë për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të vendeve të Kuintit, ku bëjnë pjesë Franca, Gjermania, Italia, Britania e MAdhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne i jemi mirënjohës OSBE-së për gatishmërinë e saj për të ndërmarrë këtë detyrë sfiduese me afat të shkurtër dhe i ofrojmë mbështetjen tonë të plotë ekipit të misionit të OSBE-së në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
OSBE përmes një deklarate për shtyp ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për rolin lehtësues që do të ketë ky mision në organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë. Kryesuesi i OSBE-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Irlandës, Imon Gilmor ka mirëpritur këtë marrëveshje, dhe ka sqaruar se vetë ai ka qenë në kontakt me palët e përfshira. Zgjedhjet lokale, presidenciale dhe parlamentare të Serbisë mbahen më 6 maj. Autoritetet kosovare kanë lënë të kuptohet se duke marrë për bazë parimin e dyshtetësisë, serbët e Kosovës mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por jo edhe për ato lokale, të cilat politikanët serbë të Veriut këmbëngulin që t’i mbajnë. Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e OSBE-së për lehtësimin e votimit për qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet e 6 majit. Në deklaratën e qeverisë së Kosovës thuhej se ky vendim i OSBE-së është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane. Gjithashtu në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj dite do të hapen qendra mobile votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të shtetit të Kosovës, në mungesë aktuale të Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe anasjelltas. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një hap i madh për shtetin e Kosovës, sepse për herë të parë Serbia ka rënë dakord që të mos organizojë asnjë lloj zgjedhje në Kosovës, 13 vjet pas përfundimit të luftës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›