E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Trebickës, provë për trafikun

 

Trazhgim Sokolaj

Dëshmia e biznesmenit të vdekur, Kosta Trebicka, u administrua nga Pro-kuroria e Përgjithshme në cilësinë e provës materiale në dosjen e veçuar nga ngjarja e Gërdecit, për akuzën "trafik arm-ësh". Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të grupit të hetimit, sipas të cilave, procesverbalet e deklarimeve të dhëna para vdekjes nga Kosta Trebickës, konsiderohen prova penale. Mbyllja e hetimeve për shpërthimin e ndodhur në Gërdec u shoqërua me veçimin e pesë dosjeve të tjera nga Prokuroria e Përgjithshme. Mes këtyre dosjeve ndodhet edhe fashikulli penal për "trafikun e armëve", në të cilin është administruar edhe dokumentacioni ku është zbardhur dëshmia e biznesmenit Kosta Trebicka. Pak kohë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gërdec, kur çështja e armëve dhe municioneve u kthye në qendër të vëmendjes publike, biznesmeni Trebicka denoncoi publikisht abuzimin e zyrtarëve shqiptarë me municionet e shitura jashtë vendit. Është fjala për transaksionet e ndërmarrjes së import-eksportit "MEICO" në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kompanisë amerikane AEY në pronësi të Efraim Diverolit. Kjo e fundit kishte fituar një tender për furnizimin e forcave afgane të sigurisë me municione "Kallashnikovi". Më shumë se 35 ngarkesa me fishekë të prodhimit kinez janë nisur nga Shqipëria përmes Rinasit dhe kanë përfunduar në Kabul gjatë shitjeve që ndërmarrja MEICO bëri për kompaninë AEY. Kjo e fundit vepronte në SHBA, madje financohej në këtë blerje nga Departamenti i Mbrojtjes ndërsa u zbulua se municioni i tregtuar ishte kinez. Ligjet amerikane e ndalojnë në fakt tregtimin e armëve apo municioneve kineze në SHBA. Faktet e dëshmuara nga biznesmeni Kosta Trebicka, tregonin se aktorët në këtë transaksion ishin në dijeni që po shkelnin ligjin, megjithatë ia kishin hequr mbishkrimet "Made in China" arkave me fishekë që niseshin nga Shqipëria në drejtim të Afganistanit. "Rreth 35 ngarkesa me fishekë u dërguan nga Tirana në Kabul. Municionit i mbulohej etiketa e origjinës së prodhimit, ndërsa tek autoritetet deklarohej se fishekët nuk ishin kinezë", mësohet të jetë shprehur Trebicka, gjatë dëshmisë së dhënë në Prokurori. Trebicka, president i firmës "Xhoi" kishte marrë pjesë në këtë aktivitet. Kompania e tij paketoi dhjetë ngarkesat e para që u nisën për Kabul. Pas ngjarjes së Gërdecit, Trebicka publikoi një bisedë të zhvilluar mes tij dhe blerësit të fishekëve Efraim Diveroli. Në përmbajtje aludohej për abuzime në këtë aktivitet. Përgjimi Trebicka-Diveroli flet për manovrat e Ylli Pinarit, i cili duke futur në lojë një subjekt misterioz e fiktiv, "EVDIN" sh.p.k me qendër në Qipro, Greqi, dyfishoi çmimin e fishekëve nga 22 dollarë për një mijë copë, në 40 dollarë për 1 mijë copë të shitur tek AEY. Roli i kompanisë ndërmjetëse "Evdin l.t.d" me qendër në Qipro është i paqartë ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një letërporosi në këtë vend, duke kërkuar të dhëna për subjektin në fjalë. Burimet thanë se përgjigja ende nuk ka mbërritur ndërsa ajo do të administrohet në dosjen e "trafikut të armëve" ku është vendosur së fundi edhe procesverbali dhe provat e servirura nga biznesmeni Kosta Trebicka. Ai vdiq më 12 shtator 2008 në Korçë, një ngjarje që u konsiderua aksident rrugor.

Dëshmitari
Një hetim u hap në SHBA në lidhje me tregtinë e fishekëve me Shqipërinë përmes kompanisë AEY. Kosta Trebicka dëshmoi për Kongresin Amerikan, para vdekjes se: Efraim Diveroli e kishte pyetur atë: "nëse kishte mbishkrime në gjuhën kineze mbi pakot apo brenda kutive metalike të fishekëve", dhe se e kishte udhëzuar atë "të sigurohej që brenda kutive prej kartoni të mos kishte asnjë dokument të shkruar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›