Frenohet Siti, Junajtid e kap në majë të tabelës
Java e 18-të e Premier Ligës ka qenë ajo e barazimeve, ku kanë spikatur rezultatet 0-0 dhe 1-1. Çelsi e Liverpul i bashkohen skuadrës së sheikut Mansur, ndërsa “Djajtë” e Fergusonit barazohen me kushërinjtë, 45 pikë për secilin
Ndërsa Mançini përgatitet që të hedhë të zezën mbi të bardhë dhe të firmosë kontratën e re që do ta bëjë atë trajnerin më të paguar në ishull, Mançester Siti i tij dështon në një provë nga ato që cilësohen si të kalueshme. Skuadra e miliardave të sheikut Mansur është frenuar në një barazim pa gola në fushën e Uest Bromuiç Albion, çka e ka detyruar skuadrën që ta ndajë vendin e parë me kushërinjtë e urryer të Mançester Junajtid, që nga ana e tyre nuk e kanë mëshiruar Uiganin, pas një “manita” të realizuar, ku 3 nga golat i shënoi sulmuesi bullgar Dimitar Berbatov.
Zhgënjen edhe Çelsi me Liverpulin. Dy barazime shtëpiake me të njëjtin rezultat, 1-1, për blutë dhe të kuqtë respektivisht ndaj Fulham dhe Blekbërnit.
Siti nuk do ta kishte menduar që hendeku prej pesë pikësh me Junajtidin të mbyllej brenda muajit. Tanimë, Roberto Mançini ndjen fare pranë presionin e Junajtidit, që nuk po rresht së shënuari. Në sfidën e luajtur në “Hejthorns”, formacioni blu nuk ka mundur që të shënojë, ndonëse disa raste të mira i ka pasur. Sidoqoftë, mbrojtja e ngjeshur e skuadrës së “ujkut të vjetër”, Roj Hodgson, ka bërë të sajën, duke e ndalur sulmin miliarder të “Citizens”.
Ndërkohë, në “Old Trafford”, Junajtid masakronte Uiganin. Një gol i shpejtë i realizuar nga ana e Park Ji-Sung ka çelur rezultatin në minutën e 8-të. Patris Evra vëri një aksion të çmendur pas një vrapi të fortë dhe një driblimi dehës në zonë, përpara se të pasonte për koreanin në zonë, i cili e prehu topin në rrjetë. Pas golit të parë, skuadra e Junajtidit duket sikur bie në qetësi, por zgjohet në të 41-ën. Dimitar Berbatov do të shënojë golin e tij të parë në këtë ndeshje pas asitit të marrë nga Daren Gibson. Me këte rezultat do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Junajtid do të bëhet edhe më agresiv. Bullgari Berbatov do të realizojë golin e tretë të ndeshjes dhe të dytin personal kur Luis Antonio Valencia harkon saktë për sulmuesin që realizon në minutën e 58-të. Pa kaluar as 17 minuta, është radha e Luis Antonio Valencias që të ndëshkojë ish-skuadrën e tij. Majkëll Kerrik është njeriu-asist në këtë rast dhe ekuadoriani fikson rezultatin 4-0. 180 sekonda më pas, Berbatov shënon tregolëshin e tij duke vulosur “manita”-n e Junajtidit ndaj Uiganit pas penalltisë së fituar nga koreani Park dhe të realizuar nga bullgari.
Barazime për Çelsin dhe Liverpulin
Blutë e Londrës e nisin keq. Barazimi shtëpiak ndaj Fulhamit është me plot gojën një dështim. Pavarësisht se skuadra e Andre Vilash Boash ka dominuar 90 minutat gjerë e gjatë, fakti se ka shënuar vetëm 1 gol, tregon dobësi. Huan Mata ka shënuar i pari në të 47-ën, ndërsa 9 minuta më pas barazon Dempsi në një ndeshje ku rastet janë me bollëk, ndërsa golat jo. E njëjta tablo edhe në “Anfield”. Liverpuli shpërdoron shumë dhe shënon vetëm dy herë, në fillim në portën e tij pas autogolit të mbrojtësit Adam, dhe më pas me Maksi Rodriguez për rezultatin final 1-1.
Premier Liga – Java XVIII
Dje
Çelsi – Fulham 1-1
Uest Bromuiç – Man Siti 0-0
Man Junajtid – Uigan 5-0
Sandërlend – Everton 1-1
Liverpul – Blekbërn 1-1
Bolton – Njukastëll 0-2
Stoke – Aston Vila X-X
Sot
Arsenal – Ulvërhempton 16:00
Suonsi – Kuins Park 18:00
Noruiç – Totenhem 20:30