Partizani për suksesin e radhës, me Butrintin vetëm për tre
Drejtuesit po i rrinë pranë grupit në këto momente dhe ajo që nisi në Velipojë do të konkretizohet me një tjetër fitore, pasi çdo rezultat tjetër konsiderohet dështim
Të kuqtë e kryeqytetit e kanë ndarë mendjen për këtë edicion, pasi ngjitja në superligë konsiderohet detyrim për të gjithë ata që kanë pranuar të bëhen pjesë e Partizanit. Kryeqytetasit këtë sezon vijnë më një pamje tjetër, sepse është thënë se për Partizanin kanë mbaruar ditët e vështira dhe ky vit quhet si viti i rikthimit të legjendës së kuq. Fillimi ka ardhur i mbarë, pasi në transfertën e Velipojës u korr tripikëshi i parë. Për drejtuesit ndaj Adës skuadra ka bërë detyrën dhe në këtë rrugë duhet ecur deri në javën e fundit.
Që nga fillimi i javës Partizani nën drejtimin e stafit teknik i ka përqendruar përgatitjet tek ish-kompleksi Dinamo. Mendohet se kjo qendër do të jetë streha e demave për stërvitjet sezonale. Ajo që është vënë re në këto seanca të kësaj javë është afrimiteti i dyshes drejtuese, Lulëzim Sallaku- Paro Laçi, të cilët i gjen prezent në ambientet ku përgatitet ekipi.
Është thënë prej kohësh se kryesorë mbetet rikthimi i besimi tek Partizani, kjo për faktin se në sezonet e fundit klubi humbi gjithçka, pjesë e së cilës është edhe mos korrektesa financiare. Jo pa qëllim ky sezon është etiketuar si sezoni i ringritjes së Partizanit. Thuhet se sot do të shikohen shkëndijat e këtij projekti, ku futbollistët do të marrin përfitimet e para financiare, si pjesë e Partizanit.
Tripikëshi me Butrintin Këtë javë Partizani ka prezantimin e parë para tifozëve kryeqytetas, ku përballë do të ketë Butrintin. Për të kuqtë e kryeqytetit sarandiotët janë një kundërshtar si gjithë të tjetër, ndaj të cilëve do të kërkohet vetëm fitorja. Në këtë përballje me Butrintin fitorja konsiderohet detyrim për të besuarit e trajnerit Nikolin Çoçlli.
Çdo rezultat tjetër që nuk konvertohet në tri pikë, nuk pi ujë për Partizanin, sepse Butrintin e presin në shtëpi dhe në letër është një kundërshtar më se i kalueshëm. Trajneri Çoçlli e ka më të plotë grupin për këtë takim të javës së dytë, kështu që alternativat janë më të shumta. Në merkato është punuar që çdo pozicion të jetë i dubluar.
Jo vetëm stafi, por edhe futbollistët janë të sigurt se ndaj Butrintit ekipi do të tregojë vlerat e tij dhe fitorja është e padiskutueshme. Sipas kalendarit, Partizani në dy javët e para i duhej të merrej me pesha të lehta, si Ada dhe Butrinti, ndërsa java e tretë do të jetë barometri i të kuqve, pasi do të jenë mysafirë në Elbasan, ku vendasit, ashtu si demat synojnë ngjitjen në superligë. Pra vetëm pas transfertës së Elbasanit mund të krijohet opinioni i parë rreth Partizanit të sezonit të ri.
