Hafizi: Salihi jashtë? Mbase Han s'e njeh fare
• Astrit Hafizi ka qenë gjithnjë mbështetës i idesë për t'iu dhënë një shans të rinjve dhe gjatë kohës që drejtoi Kombëtaren shqiptare e tregoi me fakte këtë gjë.Jetmir Halilaj Ai ishte i pari që grumbulloi në ekipin e parë përfaqësues Erjon Bogdanin apo Nevil Deden, kur këta të fundit ishin në hapat e parë të karrierës. Tekniku shkodran ka mbetur i befasuar kur ka mësuar se sulmuesi më në formë i Shqipërisë, Hamdi Salihi nuk do të grumbullohet për dy ndeshjet e ardhshme. Ai është përpjekur të tregohet sa më diplomat në lidhje me këtë çështje, por nuk e ka fshehur habinë për zgjedhjen e trajnerit Ari Han. "Salihi është padyshim një futbollist i shkëlqyer dhe një element i rëndësishëm për Kombëtaren. Kam mësuar se nuk do të jetë me Moldavinë dhe e pranoj se kjo më ka befasuar sepse pasi kjo do të ishte një mundësi e mirë për të, ka thënë Hafizi për "Panorama". Një përgjigje të saktë për këtë vendim mund ta japë vetëm trajneri Ari Han, pasi ai do të ketë arsyet e veta që nuk e ka grumbulluar. Unë mendoj se ndoshta ai nuk i njeh mirë lojtarët që ka në dispozicion, sepse nuk gjej dot një arsye tjetër bindëse për lënien jashtë të Salihit. Ai është një i ri që ka nevojë të provohet dhe ky do të ishte një shans i mirë për të. Bogdanin e Kapllanin i njohim të gjithë, ndërsa Salihi ka akoma për të treguar dhe meqenëse po kalon një moment të mirë, mund t'i ishte dhënë një mundësi. Unë mendoj se është vetëm çështje njohjeje, pra që Hani nuk i njeh ende mirë lojtarët, sepse nuk ka arsye që ta lërë jashtë një lojtar të tillë". Trajneri i Kombëtares, Ari Han, gjatë kohës që ishte në Tiranë dy javë më parë përpiloi nj listë me 18 futbollistë për ndeshjen miqësore që kuqezinjtë do të luajnë në transfertë kundër Moldavisë më 26 mars. Në këtë listë nuk figuron emri i bomberit shkodran Hamdi Salihi, i cili gjatë këtij sezoni me austriakët e Riedit ka shënuar 13 gola, dy prej të cilëve i ka realizuar në eliminatoret e Kupës UEFA. Ari Han ka ndërmend të marrë vetëm dy sulmues për këtë ndeshje, që do të jenë Erjon Bogdani dhe Edmond Kapllani. Ai nuk i ka dhënë një mundësi as Migen Memellit, sulmuesit korçar që luan me norvegjezët e GAIS, i cili shkëlqeu në zborrin e Antalias. Ari Han nuk ka dhënë detaje për zgjedhjet e tij, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka publikuar zyrtarisht listën. Bariç: Hani e di pse e la jashtëOto Bariç e cilësoi Hamdi Salihin "Gerd Mylerin" e Shqipërisë dhe si një njohës i vjetër i futbollit, ai nuk gaboi në vlerësimin e tij. Këtë deklaratë Bariç e bëri kur shkodrani luante me Tiranën, por gjatë një viti e gjysmë që ai luan te Riedi ka shënuar gjithsej 20 gola me këtë skuadër, duke treguar se është një goleador i lindur. "Çudi që Han nuk e ka grumbulluar Salihin, por nuk mund të them më tepër se kaq, sepse trajneri do të ketë pasur arsyet e veta. Vetëm ai mund të thotë diçka për këtë", ka thënë ish-trajenri i Kombëtares shqiptare. Sfida e Agollit, do vend titullari Pas largimit të Aliajt e Muratit, një tjetër anësor i majtë është larguar nga Kombëtarja. Bëhet fjalë për Altin Haxhin, i cili sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë më pjesë e përfaqësueses. Ari Han ka vendosur të marrë Ansi Agollin për ndeshjen me Moldavinë më 26 mars. "Jam i lumtur dhe i nderuar njëkohësisht, tha Agolli për "Panorama". Kombëtarja ka qenë ëndrra ime dhe tani do të bëj gjithçka që ajo te realizohet. Nëse do të më jepet shansi kundër Moldavisë, do të bëj gjithçka për të bindur Hanin të më grumbullojë edhe në ndeshjet e tjera. Ky është një rast unik dhe unë do të përpiqem ta shfrytëzoj maksimalisht".