E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fried:"Shtrirja e EULEX-it hap para"

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, i tha BBC-së se vendimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shtrirjen e EULEX-it në gjithë Kosovën është një goditje për ata që duan ndarjen e saj dhe është një hap për të konsoliduar një Kosovë të bashkuar. Ai tha se EULEX-i do të veprojë sipas Rezolutës 1244, që është e paanshme ndaj statusit, por efekti i vendosjes së misionit, sipas tij, do të jetë konsolidimi i institucioneve të Kosovës. Misioni i EULEX-it, tha ai, do të veprojë në një Kosovë të pavarur, të pandarë dhe sovrane. Zoti Fried tha se Kosovës i është njohur e drejta sovrane që ta kundërshtojë gjashtëpikëshin e OKB-së dhe shtoi se çdo marrëveshje në të ardhmen duhet të negociohet, të diskutohet dhe të konsultohet me qeverinë e Kosovës. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit e vlerësoi si shumë të suksesshme dhe të rëndësishme mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u miratua një Deklaratë Presidenciale, me të cilën mundësohet vendosja e misionit evropian për drejtësi dhe polici. Në fillim të bisedës, të cilën e zhvilloi korrespondenti i BBC-së, Arbër Vllahiu, Ndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Fried, paraqiti një deklaratë për takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›