E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hackerat sulmuan faqen e internetit”

Kryeministri Berisha ka reaguar gjatë konferencës së djeshme për shtyp edhe ndaj dublimit që i është bërë në internet faqes zyrtare të Këshillit të Ministrave.

I pyetur nga gazeta “Panorama”, kreu i qeverisë tha se piratët kishin sulmuar më parë edhe Estoninë, e cila, sipas tij, ishte një ndër vendet me procedurat elektronike më të zhvilluara në botë. Ndërkohë, Berisha shtoi se, po merren të gjitha masat për të siguruar faqen elektronike të Këshillit të Ministrave. “Hakers-at? Ata janë të përbotshëm. Edhe vendit me procedurat elektronike më të zhvilluara në Evropë, Estonisë, i ndërhynë, jo vetëm në faqen zyrtare, por në të gjitha faqet e internetit. Do të merren masat më të forta të sigurisë, në mënyrë që të parandalohen veprime të tilla klandestine”, u shpreh dje Berisha. Një ditë më parë, në adresat elektronike të gazetarëve filloi të qarkullonte një email, sipas të cilit faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave ishte www.keshilliministrave.org dhe jo www.keshilliministrave.al. Duke klikuar në këtë faqe mund të gjeje fotografi të montuara të Kryeministrit Berisha përkrah ish-udhëheqësit të Gjermanisë, Adolf Hitler, apo edhe portrete të kreut të qeverisë në kartëmonedhat shqiptare. Kjo faqe duket se ka vazhduar të funksionojë edhe gjatë ditës së djeshme, teksa pas konferencës për shtyp të Kryeministrit Berisha ka nxjerrë edhe një njoftim. “Berisha: “Hackerat e kuq” na sulmuan. Kryeministri i Shqipërisë, z.Berisha, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat e duhura për t’i rritur sigurinë faqes zyrtare dhe kështu dalim faqebardhë”, thuhet në faqen pirate të internetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›