E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Liberalizmi i vizave,pas plotësimit të “detyrave” të BE

Kryeministri Berisha tha dje pas vizitës në Bruksel, se liberalizimi i vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian do të bëhet pasi vendi ynë të plotësojë një listë me kërkesa të BE-së.

I pyetur nëse në takimin me Presidentin e KE-së, Barroso, është biseduar për një datë fikse për procesin e liberalizimit të vizave, Berisha tha se një gjë e tillë do të bëhet pasi të plotësohen të gjitha kërkesat. “Punoj me shpresë dhe besim se gjërat do të ndodhin para afatit, të cilin mendoj unë. Ndaj, si publikisht, edhe jo publikisht, unë jam i njëjti. Por si njeri i fjalës së mbajtur, i premtimeve të mbajtura, përfaqësuesit ndërkombëtar e dinë që të gjitha kërkesat do të zbatohen”, tha Berisha. Duke shpjeguar procedurat që do të ndiqen, Kryeministri shtoi se, fillimisht do të përgatitet një dokument, ku të gjitha vendet do të paraqesin kërkesat e tyre ndaj Shqipërisë dhe, më pas, pasi këto kërkesa të plotësohen, atëherë do të mund të bëhet liberalizimi i vizave. “Ata do të sjellin një dokument me kërkesa për të cilin më informuan se po e përpunojnë dhe shumë shpejt do t’ia dërgojnë qeverisë. Ky dokument rreshton kërkesat, që vendet, të cilat dëshirojnë të kenë lëvizjen e lirë, duhet t’i plotësojnë. Unë e garantova Presidentin Barroso se cilido të jetë çmimi i këtyre kërkesave, Shqipëria do t’i plotësojë. Shqiptarët presin me padurim të lëvizin të lirë si qytetarë evropianë, ndaj ky është një detyrim madhor i imi”, theksoi më tej Berisha. Gjatë qëndrimit në Bruksel, kreu i qeverisë theksoi se i kërkoi Barrosos më shumë investime të Bashkimit Evropian në rajon, kërkesë e cila sipas presidentit të KE-së do të shqyrtohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›