E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetë biznese deklarojnë falimentin vetëm në një ditë.

Ndërsa tatimorët bëhen gati të fusin në rrjetën e biznesit të madh që paguan TVSH dhe tatim-fitimi, një numër i konsiderueshëm biznesesh në Fier dyshohet se po shpallin falimentin, në mënyrë që të nisin aktivitetin nën një emër tjetër me qëllim që të mbeten te lista e biznesit të vogël. Lajmi bëhet i ditur nga ekspertët tatimorë të qyteteve.

Gjatë periudhës janar-tetor të vitit të kaluar, në Fier rreth 150 biznese patën shpallur falimentin, por në të njëjtën periudhë të këtij viti, bizneset që kanë kërkuar çregjistrim janë më shumë se 310. Por numri i falimenteve mësohet se është shtuar veçanërisht shumë gjatë javëve të fundit. Në një rast, në Drejtorinë e Tatim-Taksave të qytetit, mbërritën tetë kërkesa për çregjistrim brenda një dite.

"Pavarësisht numrit alarmant të bizneseve që po deklarojnë falimentin, agjentët e tatimeve do të verifikojnë nga afër çdo kërkesë të tillë, pasi kështu e parashikon edhe ligji", - thotë drejtori i sapoemëruar i degës rajonale të tatim-taksave, Agim Isufaj.

"Është biznesi i vogël ai që paraqitet më shqetësues për nga ecuria dhe e ardhmja e aktivitetit tregtar. Kriza botërore ka ndikuar te kjo kategori biznesi, ndaj dhe në Fier duke pasur një numër të lartë biznesesh është e natyrshme që i lartë të jetë edhe numri i atyre që nuk e përballojnë dot tregun", vijon Isufaj.

Ndërkohë që burimet nga tatimet Fier tregojnë për "Shqip" se numri i lartë i kërkesave për mbyllje aktiviteti është gjetur edhe si një shpëtim i shumë tregtarëve të licencuar, të cilët nuk dëshirojnë të vijojnë aktivitetin, duke u futur në skemën e biznesit të madh ashtu siç është deklaruar qeveria. "Dyshohet se është një formë, për t‘iu shmangur futjes në skemën e biznesit të madh. Deklarohet sot falimenti që në fillim të vitit të ardhshëm të rihapet aktiviteti, por me emrin e një të afërmi apo një familjari të atij që ka deklaruar mbylljen e aktivitetit", të shpjegojnë agjentët tatimorë, të degës rajonale Fier.

Drejtoria Rajonale e Tatim-Taksave shprehet për një stabilitet të subjekteve të biznesit të madh. Pavarësisht deklaratës zyrtare shifrat flasin ndryshe. Në tetor të vitit 2009 kanë deklaruar falimentimin e tyre 22 biznese të mëdha, të cilët aktualisht ndodhen në fazën e fundit, atë të gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›