E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika nga gjakmarrja, dorëzohet vrasësi i Arben Malçit

Pas 15 muajsh, vetëdorëzohet në policinë e Kurbinit Nikoll Ndoj. Më 3 qershor të vitit 2007, ai vrau Malçin për motive të dobëta në lokal

LAÇ – Pas 15 muajsh, autori i vrasjes së një 35-vjeçari në Kurbin ka vendosur të vetëdorëzohet, duke i dhënë fund ngujimit dhe jetës në arrati. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, shtetasi Nikoll Ndoj është paraqitur në mjediset e Komisariatit të Laçit pasi akuzohej për vrasjen e shtetasit Arben Malçi më 3 qershor të vitit të kaluar. Ai kishte mundur të emigronte në Itali dhe vetëm pak ditë më parë ishte kthyer në vendlindje. Ndonëse ishte dënuar nga drejtësia për vrasjen e kryer 15 muaj më parë dhe ishte në listat e të kërkuarve, ai është dorëzuar dje nga frika se familja e viktimës do të hakmerrej.
Vetëdorëzimi
“Alo, jam Nikoll Ndoj dhe ndodhem në shtëpinë time”, - kjo ishte telefonata e të kërkuarit për vrasje që i ka bërë 129-s mëngjesin e djeshëm. Kaq ka mjaftuar që grupi i gatshëm të nisej drejt fshatit Skuraj në Rrethin e Kurbinit. Përmes kësaj telefonate është mbyllur një kapitull jete e vështirë për Ndojn dhe njëherësh edhe për policinë, e cila ka vënë para ligjit një ndër të kërkuarit për vrasje në rrethin e Kurbinit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Nikoll Ndoj është shoqëruar me pranga në mjediset e paraburgimit të policisë së Laçit. Sipas burime zyrtare, Ndoj, pas vrasjes, ishte larguar në Tiranë dhe më pas në Itali dhe pas rikthimit ndihej i frikësuar se familja e Malçit mund të hakmerrej. Madje, ai kishte qëndruar i ngujuar në shtëpi gjithë këto ditë.
Ngjarja
Mbrëmjen e 3 qershorit të vitit 2007, Nikoll Ndoj kishte debatuar në pije e sipër me Arben Malçin, në një lokal që ndodhet buzë rrugës kombëtare Milot-Burrel. Pasi kanë shkëmbyer fjalë të ashpra, Ndoj ka shkuar në banesën e tij, në fshatin Skuraj, vetëm 500 metra larg lokalit dhe ka marrë një armë zjarri tip pistoletë “TT”. Kur është rikthyer në vendin e konfliktit, Ndoj e ka gjetur 35-vjeçarin Malçi brenda në lokal dhe e ka qëlluar me tre plumba në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas vrasjes, Ndoj është larguar në drejtim të paditur, ndërsa askush nuk ka guxuar ta ndjekë nga pas. Ai ka përfituar nga errësira e natës dhe është zhdukur pa lënë gjurmë. Vetëdorëzimi i ka dhënë fund këtij krimi dhe ai do të gjykohet për akuzën e vrasjes.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›