E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen babai i Erjeta Avdylit: “Vajzën time e vrau edhe gjykata”

Enes Avdyli rrëfen provat që u injoruan nga gjykatësit shqiptarë. Publikohet për herë të parë e-mail-i tmerrues i Erjeta Avdylit

Habjon Hasani

Enes Sokoli, babai i Erjeta Avdylit, ndihet i tradhtuar nga institucionet e Drejtësisë shqiptare. Në një reagim të tijin, zoti Sokoli është shprehur thellësisht i revoltuar lidhur me neglizhencën dhe mospërfilljen vrastare që gjykata u ka bërë fakteve dhe provave që tregonin qartazi se Erjeta Avdyli, pak kohë para se të humbte jetën, kishte jetuar tmerrin dhe kërcënimet nga ish-bashkëshorti i saj. “Erjetën e vranë barbarisht dhe e hodhën në një kanal. Policia dhe prokuroria ende nuk e kanë ‘gjetur’ autorin. Por ishte e thënë që Erjetën ta vrisnin edhe pas vdekjes. Familja e saj bashkëshortore e braktisi kufomën e saj në morg dhe nuk e varrosi. Pra e vranë përsëri. Mbas pak kohësh, nga burgu, ish-bashkëshorti i saj hodhi baltë mbi moralin e Erjetës, e cila nuk jetonte e nuk mund të mbrohej. Por përsëri qenka e thënë që Erjeta të vritet dhe e vdekur. ‘Privilegjin’ e vrasjes kësaj here e ka gjyqtari Artur Kalaja, së bashku me dy kolegët e tij. Ky zotëri duhej të vërtetonte se Erjeta, sa ishte gjallë dhe pas vdekjes, është dhunuar nga bashkëshorti. Nga gjykimi i provave, zoti Kalaja, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, konkludoi se Erjeta nuk është dhunuar. Unë mendoj se ky është një vendim skandaloz. Mendoj se është një vendim që fyen, poshtëron dhe nxin Drejtësinë shqiptare”, - është shprehur Enes Sokoli, i ati i së ndjerës Erjeta Avdyli, vdekja e së cilës tetë vite më parë mbushi faqet e para të të gjitha gazetave.
Denoncimi
Si për të mbështetur pretendimin dhe revoltën e tij, Enes Sokoli bën për herë të parë publike dhe disa dokumente, të cilat faktojnë shqetësimin, por dhe tmerrin e Erjetës vetëm pak kohë para se ajo të humbte jetën. Gazeta “Albania”, krahas denoncimit të babait të Erjetës, boton sot ekskluzivisht dhe dy letra, njëra e shkruar prej Erjetës dhe një tjetër, e cila është letër denoncim që vetë zoti Konomi i dërgoi fare pak kohë para tragjedisë ministrit të Rendit për situatën e agravuar mes Erjetës dhe bashkëshortit të saj. Përpos letrave, “Albania” boton dhe e-mail-in që Erjeta i ka dërguar së motrës, ku i shpjegonte dhunën psikologjike dhe tmerrin që po përjetonte. “Por të gjitha këto fakte nuk e bindën zotin Kalaja. Ai nuk e konsideronte dhunë shkakun e ikjes së Erjetës nga shtëpia bashkëshortore, për një vit rresht, te prindërit e saj. Ka dhe të tjera argumente që bindin çdo njeri që Erjeta është dhunuar, por këto argumente vetëm trupin gjykues nuk mundën ta bindnin”, - shton zoti Sokoli.
Drejtësia
Enes Sokoli, babai i Erjeta Avdylit, shprehet se rasti i vdekjes çnjerëzore të së bijës së tij është një shembull klasik i korruptimit dhe mosfunksionimit të drejtësisë. Për këtë arsye, Sokoli shprehet se ka ardhur koha që ai vetë të bëjë apelin e tij dhe të gjithë shqiptarët t’i thonë NDAL dhunimit dhe shpërfilljes së kërkesave të tyre legjitime nga ana e Drejtësisë shqiptare. “Sigurisht, Gjykata e Lartë dhe KLD-ja do të thonë fjalën e tyre. Por unë e ndiej për detyrë morale që ta ngre zërin për këtë padrejtësi. Kjo padrejtësi është veçse një përrua, që bashkohet me lumin e madh e të turbulluar të drejtësisë. Jo më kot opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar e cilësojnë Drejtësinë shqiptare institucionin më të korruptuar të shoqërisë sonë”, - shprehet zoti Sokoli.

BOX
Letra e Erjeta Avdylit drejtuar bashkëshortit, në vitin 1998

”Dritan!
Në pamundësi për të folur ballë për ballë me ty, sepse kam frikë nga fjalët e zakonshme ‘mos më çaj kokën’, ose ‘ik, moj qelbësirë’, po të shkruaj atë që ndiej në letër. Jam shumë e fyer dhe e vrarë shpirtërisht. Nuk mund të duroj të më trajtosh sikur unë nuk ekzistoj, të hysh e të dalësh në shtëpi pa më përshëndetur, të mos më flasësh me gojë dhe të mos më prekësh me dorë për ditë të tëra... Për ty unë nuk vlej asgjë. Këtë më thotë sjellja jote. Kurse babai yt më fyen me fjalë që unë s’mund t’i them, por po t’i shkruaj. Sa herë që më merr në telefon ndonjë shoqe ose ime motër dhe unë nuk jam në shtëpi, ai i përgjigjet ‘kushedi se nga bredh’, duke e ditur ndërkohë se ku jam unë, sepse nuk kam dalë asnjëherë nga shtëpia pa i përshëndetur dhe pa u thënë adresën se ku po shkoj. Kurse mua më kthehet edhe më thotë: ‘U këpute në b.... ti duke punuar. Nga ti po jetojmë, nuk e shikon!’ etj. Hyj në shtëpi, përshëndes dhe nuk marr asnjë përgjigje nga ai. Këto më vrasin edhe më shumë. Unë më duket se po punoj njësoj si ti dhe po kontribuoj njëlloj si ti për familjen. Nuk e meritoj të më sillesh në këtë mënyrë, Dritan, sidomos ti. Unë e ndiej se duhet të largohem për disa kohë te prindërit e mi. Në qoftë se ti mendon se me të vërtetë unë nuk vlej asgjë për ty dhe të jam mërzitur, mos hajde të më marrësh. Në të kundërt, të pres me gjithë shpirt dhe po ta them edhe njëherë, siç ta kam thënë me dhjetëra herë, të dua shumë, nuk dua të shkatërroj familjen time, por të më trajtosh si një leckë dhe të më thuash qelbësirë e mos më çaj kokën, nuk duroj dot. Të mos diskutosh asnjëherë me gruan tënde, të mos marrësh asnjëherë mendim, kjo nuk më duket normale. Ose të më thuash të paktën një herë me çiltërsi, e jo ta bluash nga brenda: ‘Këtu ke gabuar, këtu më ke fyer, mos e bëj më’ etj.

Mirë mbetsh Dritan”.
(Letër e dërguar më 30 maj 1998)

Letra e babait të Erjetës për ministrin e Brendshëm

“Zoti Ministër!
Dhëndëri im dhe vartësi juaj, zoti Dritan Avdyli (shef i Komisariatit Nr. 1), prej mëse një muaji e trajton vajzën time në mënyrë çnjerëzore. E fyen, e rreh dhe e kërcënon çdo natë, me tytën e revolverit në kokë i thotë: ‘Do të të vras ty dhe familjen tënde’. Me ju thënë të drejtën, ditët e para nuk e besoja një gjë të tillë dhe inkurajoja vajzën të qetësohej se më dukej diçka e pamundur, sidomos për një punonjës rendi. Por me kalimin e ditëve shqetësimi i vajzës u bë dhe i imi. Prandaj vendosa t’ju shkruaj. Si ministër, si prind, si shok pune, ju drejtohem me lutje prindërore, ndalojeni këtë sjellje e qëndrim barbar të një burri, parandaloni vrasjen që ai lajmëron. Theksoj se prej një muaji ai ka prerë çdo komunikim me mua dhe me familjen time. Prej disa ditësh ka prerë dhe komunikimin telefonik.

Me besim Enes Sokoli”.
(Letër e dërguar më 20 mars 2000)

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›