Policia e Gjirokastrës nis aksionin për vjeljen e gjobave të papaguara nga shoferët
GJIROKASTËR - Seksioni i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Gjirokastër ka nisur një aksion për evidentimin dhe bllokimin e mjeteve, poseduesit e të cilëve nuk kanë paguar gjobat. “Ju bëjmë me dije se të gjitha masat administrative kudo që janë marrë, në çdo rreth të Shqipërisë, janë të hedhura në sistemin kompjuterik që disponon seksioni i policisë rrugore, i cili është i lidhur me të gjitha rrethet e Shqipërisë”, - thuhet në komunikatën e policisë. Në kuadër të kësaj, vetëm ditën e djeshme janë vjelë 123 gjoba të prapambetura me vlerë 98500 lekë të reja, si dhe janë bllokuar 4 automjete për moslikuidim të këtyre masave administrative. “Ky aksion do të vijojë edhe në ditët në vazhdim deri në likuidimin e plotë të gjobave nga debitorët. Duke marrë shkas nga numri i madh i debitorëve, u bëjmë thirrje drejtuesve të automjeteve që të paraqiten në sportelet e policisë rrugore dhe filialet e Postës Shqiptare për të bërë likuidimin e gjobave të prapambetura, me qëllim që të mos pengohet edhe puna e tyre, pasi në rast konstatimi do t’iu tërhiqen dokumentet dhe do t’iu bllokohet edhe mjeti deri në shlyerjen e këtyre detyrimeve”, - përfundon komunikata e Policisë së Gjirokastrës.
27 Nentor 2008