E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangosen dy vëllezërit, prishën vreshtin e fqinjëve nga inati



TEPELENË – Një konflikt i ndodhur për motive të dobëta mes banorëve të një fshati është bërë shkas që dy vëllezër të shkatërrojnë vreshtin e fqinjëve të tyre. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në fshatin Zhapokikë të Rrethit të Tepelenës, por më pas policia ka ndaluar dy autorët e ngjarjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës njoftojnë se vëllezërit Novruz e Mustafa Kalemi janë prangosur pas kallëzimit të bërë nga dy shtetas. “Shtetasit H.V. dhe F.V., lindur në fshatin Zhapokikë të Rrethit Tepelenë dhe banues në Gjirokastër (vëllezër), kanë bërë denoncim se u është shkatërruar plotësisht një parcelë e mbjellë me hardhi në fshatin Zhapokikë, ku kanë pronat”, - thanë burimet policore. Pas hetimeve, policia ka ndaluar vëllezërit e dyshuar për këtë vepër penale. Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë prerë dhe shkatërruar plotësisht 139 rrënjë hardhi rrushi në fshatin Zhapokikë në bahçen e shtetasve H.V. dhe F.V., për arsye të një sherri të ndodhur midis palëve disa ditë më parë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Djegia e banesës lë gjimnazistët pa mësim

GJIROKASTËR – Djegia e një banese pranë njërit prej gjimnazeve të Gjirokastrës ka lënë nxënësit pa mësim. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se rreth orës 10.30 të ditës së mërkurë është regjistruar një zjarr në një banesë që ndodhej ngjitur gjimnazit "Asim Zeneli". Në vendngjarje mbërritën menjëherë 2 mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta policie, të cilat nuk lejuan përhapjen e flakëve në godinat që ndodheshin pranë. Mësohet se si pasojë e këtij zjarri u ndërpre mësimi në shkollën "Asim Zeneli". Nga të dhënat e para dyshohet se flakët janë shkaktuar nga pakujdesia e familjarëve. Materialet në lidhje me këtë çështje i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›