Ministria e Brendshme: Kemi bashkëpunim të mirë me Avokatin e Popullit
Tiranë - Mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, ekziston një bashkëpunim shumë i mirë, bëri të ditur dje përmes një deklarate për shtyp zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja. Përmes kësaj deklarate, zëdhënësi Konja deklaroi se për të forcuar bashkëpunimin me Avokatin e Popullit, më 11 nëntor të këtij viti, u organizua dhe tryeza e përbashkët mbi “parandalimin e dhunës”, ku nga ana e Avokatit të Popullit u referuan vlerësime pozitive. Sipas tij, Ministria e Brendshme hedh poshtë akuzat politike të ardhura nga Selia e PS-së për gjoja “një revansh dhune të strukturave të policisë mbi qytetarët”. “Rastet e dhunës së punonjësve të veçantë të policisë mbi qytetarët janë vetëm raste të izoluara të shkeljes së ligjit nga këta punonjës, për të cilat ata janë përballur me reagimin e ashpër të strukturave përkatëse shtetërore dhe ligjin”, - thuhet në deklaratë. Lidhur me dhënien e urdhrave nga ministri mbi strukturat policore, Konja sqaroi se ligji i ri për Policinë e Shtetit, i miratuar nga Qeveria dhe parlamenti, i heq ministrit ç’do të mundësi urdhri mbi strukturat policore. Konja bëri të ditur se vetëm gjatë tre viteve të fundit Policia e Shtetit ka arritur të zbulojë dhe vërë para ligjit autorët e 949 ngjarjeve të vjetra të ndodhura gjatë qeverisjes socialiste dhe me autorë “të larguar në drejtim të paditur”.
Droga ne Kapshticë, Apeli lë në qeli 21-vjeçaren
TIRANË – 21-vjeçarja e arrestuar pak kohë më parë me drogë në pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës në Korçë do të mbahet në paraburgim deri në përfundim të hetimit të hapur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila caktoi masën e sigurisë së “arrestit me burg” për shtetasen A. Liço, bënë të ditur dje burime nga kjo Gjykatë. Kjo shtetase është arrestuar në tetor të këtij viti me afro gjysmë kilogrami kokainë në kufirin që lidh Shqipërinë me Greqinë. Me cilësinë e provës materiale asaj iu sekuestrua 640 gramë kokainë e pastër, e destinuar për t’u trafikuar në shtetin fqinj. Pas arrestimit të kësaj shtetaseje, në pranga u vendosën edhe të dyshuarit si posedues të drogës, Ilia dhe Pandush Naslazi, të cilët tashmë po hetohen nga prokuroria e krimeve të Rënda për “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim”.
27 Nentor 2008