Shqipëria për herë të parë me një Kërkimeve Shkencore për detin
Për herë të parë në Shqipëri do të funksionojë një Qendër Ndërkombëtare e Kërkimeve Shkencore në det. Qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Arsimit jep miratimin për krijimin e qendrës. Në datat 11, 12 e 13 shtator u zhvillua në Qytetin jugor të Mesinas në Itali Konferenca e 2° e Iniciativës EUROMED (Konferenca kishte si qëllim Bashkimin Euro-Mesdhetar nëpërmjet rritjes dhe ristrukturimit të bashkëpunimit ndërkombëtar ndër-institucional në fushën e kërkimeve detare të integruara në Detin Mesdhe). Në konferencë morën pjesë institucionet kryesore të vendeve të Mesdheut, që kryejnë studime në shkencat detare. Institucioni nismëtar i konferencës ishte IFREMER (Instituti Francez për Kërkime dhe Eksplorime në Det). Nga MASH-i morën pjesë zëvendësministri Halit Shamata, Albano Zhapaj, përgjegjës Sektori i Projekteve në DKSH. Ndër elementet që u diskutua dhe që përkonte me projektin CISM (Qendra Internacionale e Shkencave të Detit), ishte krijimi i një qendre ndërkombëtare të kërkimeve detare, ku qeveria shqiptare u shpreh e interesuar që një Qendër Ndërkombëtare e Studimeve Detare të ngrihet në Shqipëri. Kjo gjë u deklarua në Konferencë nga Halit Shamata. Përfundimet e punimeve u shoqëruan edhe me një deklaratë të përbashkët e cila u hartua si një dokument përfundimtar i rezultateve të dala nga kjo konferencë për ndjekjen në vazhdimësi të iniciativës Euro-Mesdhetare. Kjo nënkupton krijimin e një rrjeti me funksione koordinimi për të gjitha nismat që do të ndërmerren në këtë kuadër. Vendi ynë nuk ishte anëtar i Komitetit Drejtues Euro-Mesdhetar, pasi nuk kishim asnjë institucion që të na përfaqësonte ligjërisht. Projekti është në vijim prej 2 vjetësh dhe është pothuajse në fazën përfundimtare të konceptimit, për të kaluar më pas në atë të zbatimit praktik. Projektimi dhe realizimi i Projektit CISM në kuadrin e programit Ndër-rajonal III Pulia -Shqipëri, i filluar vite më parë, i jep CONISMA (Konsorcium Ndër universitar për Shkencat e Detit) prioritetin e propozimit të ngritjes në Shqipëri të këtij institucioni.
Ngritja e një institucioni si CISM konsiderohet si një shans i mirë, i cili, nga disa këndvështrime, është optimal për Shqipërinë.
20 Shtator 2008