E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shezai Rrokaj: “Sistemi part-time, jam kundër provimeve të Maturës si kriter pranimi”



Jonida Tashi

Pranimet në sistemin part-time nuk duhet të bazohen tek dy provimet me zgjedhje të Maturës. I këtij mendimi është dekani i Fakultetit Histori-Filologji në Tiranë, Shezai Rrokaj, i cili e kundërshton hapur këtë kriter. Kështu, sipas dekanit Rrokaj, vendosja e provimeve me zgjedhje të Maturës si kriter pranimi për studimet part-time është një diskriminim i hapur që u bëhet universiteteve publike ndaj atyre private. Këtë Rrokaj e argumenton me faktin se pse në universitetet private pranimet e studentëve bëhen pa u bazuar në këtë kriter jo vetëm për studimet me kohë të plotë, por edhe për ato me kohë të pjesshme. “Vendosja e provimeve të Maturës Shtetërore si kriter pranimi për sistemin part-time, do të thotë t’i mohosh të drejtën e studimit mbi 13 mijë maturantëve, të cilët nuk kanë rezultuar fitues në këto provime”,- pohon Shezai Rrokaj. Sipas tij, universitetet publike janë të diskriminuara për pranimin e studentëve në studimet me kohë të pjesshme. Pikërisht, për të evituar këtë diskriminim të vazhdueshëm, rektorët e universiteteve publike në vend kanë kërkuar që kriteret e pranimit të studentëve të rinj duhet të jenë të njëjta si në universitetet publike dhe në ato private. Për këtë, ata i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit, që të unifikojë kriteret e pranimit të studentëve në universitetet publike dhe private.
Përplasjet
Por pranimet e studentëve në sistemin part-time kanë krijuar përplasje jo vetëm midis Ministrisë dhe universiteteve, por edhe midis këtyre të fundit. Kështu, ndërsa për dekanin e Filologjikut vendosja e kriterit të Maturës nuk është i drejtë, kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani ka kërkuar që pranimi i studentëve në part-time, të bëhet sipas të njëjtave kritere me atë të kohës së plotë. Megjithëse ende nuk është marrë asnjë vendim për studimet part-time, sipas Jorgaq Kaçanit, për pranimin e studentëve në këto studime duhet të merren parasysh rezultatet e Maturës Shtetërore dhe mesatarja e notave. Sipas tij, çdo student që pranohet në universitete, duhet t’i nënshtrohet të njëjtave kritere pranimi. Propozimi për dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore si një ndër kriteret kryesore për pranimet e kandidatëve në sistemin part-time gjatë vitit akademik 2008-2009 fillimisht u bë nga Ministria e Arsimit. Burime nga ky dikaster sqarojnë se miratimi ose jo i këtij kriteri do të varet nga Këshilli i Ministrave.
Propozimet
Aktualisht janë dërguar pranë Ministrisë së Arsimit propozimet përkatëse në lidhje me kuotat e pranimit që do të ofrojnë universitetet publike për studimet part-time. Burime zyrtare nga MASH-i sqarojnë se miratimi i kuotave për sistemin part-time do të bëhet pas përfundimit të pranimeve për sistemin e ditës. Megjithatë, pritet që rregullorja e plotë të bëhet publike në ditët në vijim, ku do të saktësohen dhe ndryshimet e bëra në lidhje me pranimet për studimet me kohë të pjesshme. Universiteti i Tiranës ka propozuar rreth 1050 kuota pranimi për studimet e pjesshme, ndërsa në disa degë hyrja do jetë e palimituar. Kuotat do të jenë të shpërndara sipas fakulteteve. Kështu, në Fakultetin e Histori-Filologjisë do të ofrohen rreth 450 kuota të ndara në mënyrë të barabartë sipas degëve përkatëse, si Historia, Gjeografia dhe dega e Gjuhë-Letërsisë. Gjithashtu, pranime part-time të palimituara do të ofrohen dhe për degën e Biologjisë dhe në degët përkatëse të Fakultetit Ekonomik, për të cilat ndryshe nga viti i shkuar, hyrjet në to do të jenë të palimituara. Për vitin e ardhshëm studime të pjesshme do të ofrojë dhe Fakulteti i Drejtësisë, me rreth 400 kuota pranimi të propozuara nga UT-ja. Ndërsa katër fakultetet e tjerë të Universitetit të Tiranës, përkatësisht ai i Gjuhëve të huaja, Mjekësisë, Infermierisë dhe Shkencave sociale nuk do të ofrojnë studime part-time për këtë vit. Por pavarësisht se janë bërë propozimet përkatëse nga universitetet, do të jetë Këshilli i Ministrave, që do të bëjë miratimin e këtyre kuotave, çka do të thotë se mund të ketë dhe ndryshime.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›