E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: ”E kemi respektuar afatin për ndërtimin e shkollave”



Pas akuzave që ka lëshuar Kryeministri i vendit në drejtim të Bashkisë së Tiranës për projektin e ndërtimit dhe restaurimit të shkollave, kjo e fundit ka reaguar nëpërmjet nënkryetarit, Eduard Shalsi, duke u shprehur se viti i ri shkollor nisi me 16 shkolla të reja. Sipas Shalsit shkollat kanë përfunduar brenda afatit të përcaktuar dhe aktualisht nxënësit kanë hyrë në ambiente tërësisht të reja. Shkollat janë ndërtuar sipas standardeve europiane me ndihmën e Bankës së Këshillit të Europës. Shalsi u shpreh se fondet për zbatimin e projektit jo vetëm që nuk po digjen, por po kthehen në shkollat më të bukura të Shqipërisë. Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e shkollave të kryeqytetit parashikon ndërtimin apo rikonstruksionin e 38 shkollave. Të gjitha shkollat janë të pajisura me kënde sportive për argëtimin e nxënësve në orët e lira. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, pak kohë më parë zbardhi projektin për ndërtimin dhe rikonstuksionin e të gjitha shkollave të mesme dhe 9-vjeçare që janë ndërtuar apo rikonstruktuar dhe ato për të cilat aktualisht po punohet. Sipas Shalsit, projekti për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave filloi në 2006-ën dhe do të përfundojë në 2009-ën. Aktualisht kanë përfunduar 19 shkolla të rikonstruktuara dhe janë bërë 16 ndërtime të reja në zona të ndryshme të Tiranës. Ndërkohë që në 2009-ën, që është edhe afati i fundit i përfundimit të projektit, mbeten vetëm 3 shkolla deri në përfundim të projektit. Këtë vit shkollor, një numër i madh nxënësish kanë nisur vitin shkollor në ambiente të reja dhe me kushte të përshtatshme për zhvillimin mësimor.

Ministri Beja takon Ambasadorin Amerikan Withers

Ministri i Arsimit Fatos Beja priti dje në zyrën e tij Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës John L. Withers II. Ambasadori Withers përgëzoi ministrin për emërimin e tij, duke vlerësuar se arsimi është një dikaster shumë i rëndësishëm dhe me shumë përgjegjësi. Ndërsa Beja e falënderoi Ambasadorin për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për arsimin shqiptar. Përveç reformave në arsim, Beja ka diskutuar me ambasadorin për reformimin e sektorit shkencor në Shqipëri, nxitjen e zhvillimit të qendrave shkencore në universitete dhe mundësinë e bashkëpunimit të MASH-it dhe SHBA-së për mbështetjen e tyre. Withers ofroi mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Shqipëri dhe bashkëpunimin në këto fusha.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›