E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani: “Kontrolloni ushqimet e ardhura nga Kina, rrezik për shëndetin”

Avokati i Popullit nis rekomandimin pas shkrimit në gazetën “Albania”. Kërkohet kontrolli i të gjitha tregjeve për produktet me origjinë nga Kina

Laureta Rryçi

Tiranë - Skandali me prodhimet kineze, që përbëjnë rrezik për shëndetin, bëri që të reagojë dhe institucioni i Avokatit të Popullit. Pas situatës së krijuar kohët e fundit në të gjitha shtetet e botës mbi ushqimet me origjinë kineze dhe shkrimit të shkruar në gazetën “Albania” pak ditë më parë, kanë ndikuar që Dobjani të përpilojë një rekomandim zyrtar jo vetëm për ministren Anila Godo, por edhe për kryeministrin Sali Berisha. Burime pranë kësaj zyre pohuan dje se Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka kërkuar ministres së Shëndetësisë që të ushtrohet kontroll në të gjitha tregjet shqiptare për produkte me origjinë nga Kina, në veçanti të kryhen analizat për produktin e qumështit koncentrat “Panda”, prezent në të gjitha tregjet tona. Të njëjtat burime shpjeguan se Dobjani fillimisht është njohur me informacione zyrtare në lidhje me ushqimet që kishin hynë në të gjitha pikat doganore gjatë këtij viti në vendin tonë.
Situata
Edhe pse në Shqipëri gjatë këtij viti nuk është futur qumësht pluhur i prodhuar në Kinë, sërish shëndeti i shqiptarëve mbetet i kërcënuar nga një produkt tjetër. Kohët e fundit në tregjet europiane janë vënë në alarm prej ushqimeve me origjinë kineze, pasi mjaft produkte të tilla janë konstatuar me substanca sintetike dhe kimike, të dëmshme për shëndetin. Në mjaft vende të Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur mbledhja dhe groposja masive e këtyre produkteve duke vendosur dhe embargon për artikuj dhe produkte me origjinë kineze. Duke pasur parasysh këtë shqetësim, Avokati i Popullit u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave nëse kishte hyrë në Shqipëri qumësht pluhur i importuar nga Kina, pasi në këtë produkt në tregjet botërore janë konstatuar substanca kimike të rrezikshme për jetën dhe shëndetin. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, zyrtarisht informoi Avokatin e Popullit se për vitin 2008 nga Kina në Shqipëri nuk kishte hyrë qumësht pluhur, por ka hyrë rreth 140 tonë qumësht koncentrat i njohur me emrin “Panda”.
Rekomandimi
Pas këtij informacioni, Avokati i Popullit, me telefon u rekomandoi kryeministrit, ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe ministres së Shëndetësisë, që të procedojnë për të analizuar produktin, qumësht koncentrat i emëruar “Panda”. “Gjithashtu, në shtypin e përditshëm të shkruar, pikërisht në gazetën “Albania” është shprehur shqetësimi edhe për artikuj të tjerë të importuar nga Kina, fakt i cili kërkon një kontroll dhe ekspertizë të gjithanshme dhe të thelluar”, - shkruhej në rekomandimin zyrtar të Dobjanit.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›