Topalli takon homologun çek: “Çekia do të miratojë brenda muajit protokollin e anëtarësimit në NATO”
Senati i Republikës së Çekisë do të ratifikojë brenda muajit tetor protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Konfirmimin e dha dje Presidenti i Senatit Çek, Premysl Svobotka, në takimin me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Sobotka, i cili ndodhet në Shqipëri me ftesë të kryetares së Kuvendit, tha se ai dhe delegacioni i tij vijnë këtu si miq për të takuar miq, sipas premtimit të bërë kryetares Jozefina Topalli gjatë vizitës së saj zyrtare në Çeki. Kryetari Sobotka theksoi se Çekia që është vendi që do të marrë presidencën e radhës së BE-së në janar 2009, vlerëson progresin e bërë në Shqipëri, mbështet aspiratat e saj integruese, duke shprehur bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian do të jetë i afërt. “Dy vendet tona kanë kaluar një histori të vështirë nën regjimin totalitar. Por tashmë koha e totalitarizmit ka kaluar dhe jemi ‘me të dyja këmbët’ në demokraci”, - është shprehur kryetari i Kuvendit të Çekisë. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi gatishmërinë personale të tij dhe të autoriteteve të Çekisë për vijimin e mbështetjes së palëkundur në proceset integruese. “Ju e kuptoni më mirë se kushdo historinë tonë të vështirë dhe ëndrrën tonë europiane ndaj edhe marrja e presidencës së BE-së nga Çekia në janar 2009, është shumë e rëndësishme për ne”, - tha kryetarja e Kuvendit.
7 Tetor 2008