E Diel, 1 Nëntor 2026

Priten analizat nga Italia për 139 tonë qumësht kinez "Panda"



Një sasi qumështi koncentrat prej 139 tonësh është bllokuar në dogana nga Inspektorati i Kontrollit Ushqimor, sepse sipas këtij institucioni, produktit më parë i duhen bërë analizat. Bllokimi është bërë menjëherë pas masave të marra në të gjithë BE-në si pasojë e alarmit që erdhi për produktet ushqimore nga Kina, që përmbanin substanca të rrezikshme në përbërjen e tyre. Nisur nga informacioni i tregut ndërkombëtar që pushtoi gjithë opinionin publik mbi problemet e sigurisë shëndetësore me qumështin e prodhuar në Kinë, Ministria e Bujqësisë mori masa për kontrollin e qumështit apo të ushqimeve të tjera, me bazë ushqimore, qumështin e prodhuar në Kinë. Kështu, në datën 25 shtator, Inspektorati ushqimor bllokoi në shkallë vendi të gjithë sasinë e qumështit milk "Panda", të importuar nga Kina, që gjendej në magazinat e kompanisë shqiptare importuese, si dhe në magazinat e Doganës shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të Bujqësisë, gjatë vitit 2008 janë importuar nga Kina në Shqipëri mbi 139 tonë qumësht “Panda", e cila tashmë është bllokuar nga MBUMK-ja. Analizat e këtij produkti janë dërguar në Itali dhe sipas ekspertëve të Ministrisë, rezultatet e tyre do të diktojnë veprimet e më tejshme me qumështin e bllokuar nga Inspektorati i Ushqimit. Për këtë problem, më datën 3 tetor 2008, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, nxori urdhrin përkatës “Për ndalimin e importit të qumështit dhe produkteve me bazë qumështi”, me origjinë nga Kina për në Shqipëri.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›