Shkurti rrit çmimet e produkteve ushqimore
Produktet ushqimore kanë pësuar rritje gjatë këtyre ditëve të muajit shkurt. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit thanë dje se çmimet e produkteve me pakicë kanë pësuar rritje. Sipas këtyre burimeve, për këtë javë në krahasim me javën e kaluar çmimet e shitjes me pakicë të artikujve perime, fruta, fasule dhe patate kanë pësuar rritje. Kështu nga 36 artikuj të krahasueshëm që gjenden në treg, 20 prej tyre kanë rritje çmimi, 11 artikujt kanë ulje çmimi dhe 5 artikuj të tjerë kanë po atë çmim si një javë më parë. Për sa u përket perimeve, gatë kësaj jave në krahasim me javën e kaluar nga 18 artikuj që ka tregu, 11 prej tyre kanë rritje çmimi që variojnë nga 1 deri në 37 lekë/kg. Kështu rritje kanë speci i verdhë me 37 lekë/kg, speci kapi me 28 lek/kg, kungulli me 21 lekë/kg, patëllxhani me 16 lekë/kg, domate cilësi e dytë me 14 lekë/kg, trangulli me 13 lekë/kg, domate cilësi e parë me 11 lekë/kg, spinaqi me 8 lekë/kg etj. Ulje kanë 4 artikuj si hudhra e njomë me 11 lekë/kg, qepa e njomë me 7 lekë/kg, lakra me 2 lekë/kg dhe speci gogozhar me 1 lekë/kg. Lule lakra, qepa e thatë dhe hudhra e thatë nuk kanë lëvizje çmimi. Fasulja pllaqi ka rritje me 7 lekë/kg, fasulja kokërr vogël ka ulje me 8 lekë/kg, ndërsa patatja nuk ka lëvizje çmimi. Për sa u përket frutave, nga 15 artikuj që ka tregu, 8 prej tyre kanë rritje çmimi si rrushi me 34 lekë/kg, gështenja me 20 lekë/kg, dardha me 9 lekë/kg, ftoi me 8 lekë/kg, shalqini me 6 lekë/kg etj. Ulje çmimi kanë 6 artikuj si bostani me 11 lekë/kg, kumbulla me 7 lekë/kg, banania me 5 lekë/kg, shega e limoni me 3 lekë/kg dhe portokalli me 1 lekë/kg. Po t’u referohesh çmimeve në tregjet e shumicës, vihet re se në kulturat perimore nga prodhimet e vendit nga 15 artikuj, 9 prej tyre kanë rritje. Ndërsa për sa u përket frutave të vendit, nga 7 artikuj në treg 5 prej tyre kanë rritje çmimi si ftoi me 22 lekë/kg, gështenja me 20 lekë/kg, portokalli e hurma me 6 lekë/kg dhe mandarina me 2lek/kg. Vetëm limoni ka ulje çmimi me 1 lekë/kg. Molla nuk ka lëvizje çmimi.