E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatë; Vrau bashkëshortin muaj më parë, pranon krimin



Vrau bashkëshortin, pasi nuk i duronte dot keqtrajtimet e tij, 28-vjeçarja Vitore Suçi ka pranuar dje autorësinë e krimit. “E vrava në kushte të tronditjes së fortë psikike, kërkoj të gjykohem me gjykim të shkurtuar”, - ka deklaruar dje përpara gjykatës e pandehura. Pas kërkesës së bërë nga ana e saj, gjykatësja e çështjes, Shefkije Demiraj, ka shtyrë procesin për një datë tjetër, në mënyrë të tillë që prokuroria të përgatisë edhe konkluzionet e saj përfundimtare. Gjatë procesit të djeshëm gjyqësor kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, të cilët kanë ndjekur seancën. Po të njëjtin deklarim, Vitore Suçi e ka bërë edhe gjatë seancës së masës së sigurisë në gjykatë, duke rrëfyer me detaje çfarë e detyroi të qëllonte ndaj të shoqit. Ngjarja për të cilën akuzohet e pandehura ka ndodhur më 28 gusht të vitit kaluar. Nga hetimet ka rezultuar se 28-vjeçarja kishte vetëm 3 javë që ishte martuar me viktimën Marash Doda, 40 vjeç. Ditën e ngjarjes, Suçi kishte vendosur që të ikte nga shtëpia. Ajo do të kthehej tek prindërit e saj në Paskuqan dhe donte të ndahej nga 40-vjeçari Mirash Doda. Por ky i fundit nuk e ka pranuar këtë gjë. Në këto kushte, vajza 28-vjeçare ka thirrur prindërit e saj që të shkonin në shtëpinë tek Bregu i Lumit dhe ta merrnin. Kur ata kanë shkuar atje, rreth orës 14:00, është rindezur edhe një herë konflikti mes Mirashit dhe Vitores. Në një moment, gruaja ka tentuar që të ikë, por kur 40-vjeçari e ka ndaluar, ajo ka marrë thikën e bukës dhe e ka qëlluar në zemër bashkëshortin e saj. Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor ka rezultuar se motivi kryesor i kësaj ngjarjeje të rëndë midis autores dhe viktimës, dyshohet të kenë qenë kushtet e vështira ekonomike dhe xhelozia e bashkëshortit të saj.

“Masakra e Cërrikut”

Të pandehurit dhe avokatët braktisin sallën e gjyqit

Prej disa seancash vazhdon të shtyhet, për motive nga më të ndryshmet, të inskenuara prej avokatëve në bashkëpunim me klientët e tyre, gjyqi në ngarkim të tyre. Të pandehurit e akuzuar për masakrën e Cërrikut në vitin 1997 kanë braktisur dje sallën e gjyqit sapo ka nisur të dëshmonte i penduari Bujar Buzani. Shkak për braktisjen e kafazit dhe më pas sallës së gjyqit ka qenë moslejimi i tyre për të kundërshtuar pa radhë çdo deklaratë që jepte Buzani në lidhje me ngjarjen. Avokatët mbrojtës kanë pretenduar se klientët e tyre janë dhunuar nga efektivat e burgjeve, gjatë uljes së tyre në karrige sa herë që kundërshtonin të penduarin. Nga ana tjetër, mbrojtësit i kanë kërkuar gjykatës që mjekja e burgut të përcaktonte arsyet përse nuk mund të paraqitej në seancë një prej të pandehurve, i cili mësohet të ketë qenë i sëmurë. Pas largimit të të pandehurve dhe mbrojtësve nga seanca, gjykata ka vendosur ta shtyjë sërish procesin gjyqësor. Të pandehurit akuzohen për ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, ku humbën jetën gjashtë gardistë, Sali Martini, Besnik Syla, Halit Haxhia, Qemal Mehmeti, Bashkim Mella. Të pandehurit e këtij procesi Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Xhepaxhiu, Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi po gjykohen për akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese më shumë se një herë” dhe “vrasjes në rrethana cilësuese më shumë se një herë, të mbetur në tentativë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›