E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJË PËRVJETOR ME PAK DASHURI



Nga Fadil LUSHI

Të nderuar lexonjës.

Sot e një vit më parë, në një mëhallë të vockël shqiptare të Gadishullit Ilirik u mëvetësua dhe u çapëlua një shtet i ri me emrin Kosovë. Nëse është një vit, atëherë do të duhet të konceptohet si një kremtim i përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Prishtinalitë do të thonë se këtij manifestimi nuk do t’i bashkëngjitet kampioni i opozitës - Albin Kurti, jo pse opinionet politike të tij në vijimësi do të nënqeshen, nuk do të përfillen, do të kundërshtohen dhe në instancë të fundit, tmerrësisht do të anashkalohen nga njerëz të cilët me të drejtë apo pa të drejtë nuk do të pajtohen me të, por sepse prania e tij do t’ua prishte rehatinë. Kjo do bëhet nga taze politikanët kosovarë, për inat të Albinit, koeficienti i kundërshtisë dhe të inatosurit politik i të cilit është goxha i lartë. Vokacioni i Albinit nuk mund të perceptohet si vokacion folk-patriotik e as nihilist, përkundrazi, duhet të pasqyrohet si një kundërshtim kundrejt njerëzve që bëjnë politikë të mbrapshtë, joparimore, me pak perspektivë dhe dritëshkurtër, qoftë ajo politikë e brendshme apo botërore. Ai edhe më tej do të ketë qëndrim kundërshtues ndaj njerëzve të cilët sot e gjithë ditën janë të kapluar nga ethet e zaptimit të posteve drejtuese të njerëzve që ua do shpirti të përvetësojnë pasurinë e popullit... Për këtë, Marin Barleti dikur kishte thënë: “Kemi mbaruar të tërë, po qe se mendon secili për vete dhe jo për kombin!”

Ca politikanë kosovarë pas mëvetësimit menduan vetëm për vete. Reagimet filozofike të Albinit do të jenë me vend, pasi kanë për mbështetje transparencën dhe jo heshtjen - heshtjen që shkon në favor të armiqve të shqiptarëve, në veçanti të Kosovës. Heshtja për Albinin e “Vetëvendosjes” është një nocion denigrues, dehuman, deemancipues dhe i huaj.

17 Shkurti i vitit 2009 do të duhet të jetë një përvjetor i mëvetësimit të shtetit të Kosovës. Ata që do ta organizojnë këtë eveniment, do të thonë se u takon atyre dhe vetëm atyre. Një përvjetor që do t’i dedikohet njëvjetorit të lindjes së një kushtetute të denigruar dhe të kontrabanduar, një kushtetute që frymon në inkubator dhe është arkivuar në sirtarët e Ministrisë për Jurisprudencë dhe në zyrën e ministrit të saj. Është një kushtetutë që është “gatuar” në sofrën politike dhe qepur nga ustallarët e dyqanit të rrobaqepësisë së Marti Ahtisarit. Është një kushtetutë, së cilës i mungon cilësia e argumenteve dhe komunikimi i mirëfilltë, një dokument që ka një ditar të ecejakeve të rrugëtimeve të saj, një kushtetutë që është mbështetur në një ditar të lavdishëm dhe me plotë sakrifica, një ditar i shkruar me dhembjet e nënave, me gjakun e familjes së Jasharajve dhe kërkuesve të tjerë të lirisë kosovare. Është një Dekalog që nuk shkoi në votë, që nuk morri aminin e popullit, është një Dekalog që në vend se t’i jepet liria e frymëmarrjes, i merret ajo, i pengohen çapitjet e para fëmijërore. Thjesht: kështu siç trajtohet, i vihet kleçka. Dhe ky dokument i rëndësishëm juridik është i shkruar në gjuhën shqipe, serbe, angleze, turke, rome dhe në alfabetin Breil (për të verbrit). Një dokument ndonëse i shkruar 95 për qind për shqiptarë, nocioni shqip/e fatkeqësisht përdoret vetëm 1 herë! Ndërkaq fjala serb/e përdoret 7 herë, ajo turke, boshnjake dhe rome jo më pak se nga 3 herë! Unë nuk di se si mund të perceptohet kjo “gijotinë”! Për ta përfunduar këtë paragraf, mua do të më duhet të them: kjo kushtetutë, kështu siç është ndërtuar, thjesht, devijon nga mendja, dëshira dhe përcaktimi politik i kosovarëve. Atëherë, Ju të nderuar lexonjës, më thoni se a ka logjikë dhe hapësirë, për ta festuar ditëlindjen e parë të kësaj foshnje, ditëlindjen e një kushtetute, që do t’i mungojë rrëfimi, dimensioni politik, dimensioni i arsyes, dimensioni i perspektivës dhe ky ligj themelor i shtetit kosovar kështu siç (nuk) frymon, të lë përshtypjen se ky dokument ngel jashtë vëmendjes sonë personale, kolektive dhe asaj të “Vetëvendosjes” së Albinit, për të cilin gojëkëqijtë do të thonë se vazhdon ende të bëjë politikë “...cinike, djallëzore dhe trilluese”!

Ky përvjetor do të duhet t’i dedikohet edhe “flamurit”, ku njerëz të afërt me pushtetarët do të thonë se ky “flamur” është i shqiptarëve, i serbëve, turqve, boshnjakëve, romëve, të verbërve dhe ku ta dijë dreqi edhe i kujt do të duhet të jetë. Do të duhet të jetë një “flamur i përbashkët për të gjithë”, sa për të bërë tifozllëk. Këtë “flamur” pranë tij nuk do ta ketë ushtaraku me paterica dhe pa sy, ai invalidi i luftës kosovare që iu vardis lirisë së saj, ai invalidi i sotëm që iu vardis flamurit të vlonjatit Ismail Bej Qemali, atij flamurit që sot politikanët, për hatër të... tmerrësisht do ta denigrojnë.

Një përvjetor që do t’i dedikohet himnit të dëshmorëve e jo “kombit kosovar”, një himn që do ta inatosë dhe shpërfillë atë kombëtaren.

Njerëzit që kanë frekuentuar kampin famëkeq të Aushvicit do të thonë se në portën e tij është shkruar kjo fjali: “…Popujt që e harrojnë historinë janë të detyruar ta jetojnë përsëri atë”! Ndërkaq BE-ja, Ahtisari si dhe Ban Ki Muni me gjashtë pikat e tij, kosovarëve do t’u sugjerojnë që në përvjetorin e parë duhet ta harrojnë të kaluarën e tyre të dhimbshme dhe po aq të lavdishme, duhet ta harrojnë dhunën serbe dhe atë të Millosheviçit. Shih çfarë sugjerimi!?... një sugjerim që të detyron të harrosh një të kaluar, të ndërtuar me gjakun e të rinjve nga Drenica, Llapi... e ky zoti Ahtisari mendon se kjo histori kinse na qenka ndërtuar me gjakun e narkomanëve finlandezë, koreanë, evropianë... etj. Do t’u thotë: Harrojeni historinë, sepse keni pavarësinë, një pavarësi që do t’i mohohet e drejta e të ushtruarit të sovranitetit mbi tërësinë territoriale kosovare.

Nuk di njeri, se në këtë përvjetor a do të duken atypari edhe nënat të cilat sot e kësaj dite mbajnë mendjen dhe shikimin mënjanë, në kërkim të të afërmve të tyre të zhdukur diku në Shumadi, Batajnicë... E në një përvjetor ku atypari nuk do duken motrat kosovare psikikisht të traumatizuara..., atypari nuk do të duken invalidët e luftës me paterica, do të jetë një manifestim ku nuk do të grumbullohen politikanë të opozitës me ata pushtetarë..., nuk do të duken ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, hisedarët e trashëgimisë së luftës dhe fitores së saj, ata që ngelën pa punë. Këtë kremte madhështore kundrejt përvjetorit të pavarësisë së Kosovës ndoshta jetimët e luftës do ta përjetojnë me pak dashuri! Ku ta dijë njeriu se kush (nuk) do të vijë dhe kush do të duket atypari tokës kosovare.

Historiani italian, Xhuzepe Tamburano, thoshte: “Liria plagos, liria shëron”. Këtë mendim të historianit italian Albin Kurti me filozofinë e tij, me të drejtë do ta kundërshtojë duke thënë se: “Liria plagosi sovranitetin politik dhe territorial edhe ashtu inekzistent kosovar”!

Edhe në përvjetorin e parë “njerëzve të merituar të politikës kosovare”, gjegjësisht njerëzve me mendjemadhësi dhe defekte të spikatura, në veçanti të atyre të pozitës, do t’u jepen medalje, që paraprakisht do t’u hiqen nga qafa e të merituarve, do t’u hiqen ngjyrat, do të “bojatisen” dhe do varen në qafën e sehirxhinjve, sherrxhinjve, hazërxhinjve dhe gjeneralëve të pasluftës.

Gojëtarët e mëdhenj të Romës së Vjetër do të thonë se një fjalë mund ta shqiptosh një mijë herë dhe në fund të ngel e pavërtetë dhe mund ta belbëzosh atë, por të jetë e vërtetë… Dhe belbëzimet e Albinit, gjithsesi rezultojnë të vërteta.

Megjithatë, dita e kremtimit të përvjetorit të pavarësimit së Kosovës, me gjithë gjymtimet, le të jetë një melodramë, le të jetë një ditë historike për Kosovën, kosovarët dhe për të gjithë shqiptarët gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë. Le të jetë një ditë feste, një ditë që sipas besimit hebraik, duhet të jetë një festë ku pajtohen njerëzit e një fisi. Për këtë dhe arsye të tjera, armiqtë tanë le të thonë ç’të duan. Nuk kemi shumë kohë dhe shpirtra për të humbur.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›