Tre persona me armë lidhin rojën dhe grabisin një firmë
Rikthehen grabitjet me armë në autostradën Tiranë-Durrës. Ngjarja e fundit ka ndodhur në ambientet e një firme private, e cila merret me tregtimin e materialeve të ndërtimit, kryesisht panelesh. Burimet policore bënë të ditur se rreth orës 03.20. në fshatin Muçaj të Vorës, në ambientet e një firme, në pronësi të Niko K., tre persona të armatosur, kanë lidhur rojën Hasan Neziri dhe kanë tentuar të vjedhin në ambientet e firmës. Për hajdutët duket se roja nuk ka qenë problem. E kanë lidhur me litar dhe e kanë keqtrajtuar. Ai ka parë me sytë e tij se si u vodh firma ku ai ishte punësuar që të ruante atë. I vetëm roja nuk ka mundur të bëjë asgjë për të shpëtuar firmën, kështu që ka pritur derisa kanë ikur grabitësit dhe më pas ka mundur të zgjidhet dhe njoftojë uniformat blu, të cilat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Policia tha se po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.