Kompjuterë policisë, për krimet informatike
Ambasada amerikane sjell dhurata të tjera për policinë shqiptare. Këtë radhë, dhuratat i shkojnë antikrimit ekonomik, që janë disa pajisje speciale për hetimet e tyre. Në ceremoninë e dhurimit, ku mori pjesë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së, z. John L. Withers II, dhe ambasadori gjerman, z. Bernard Borchard. Ministri Basha e vlerësoi ndihmën e qeverisë amerikane mjaft domethënëse në aspektin e mbështetjes në luftën kundër krimit ekonomik dhe të besimit që kanë fituar agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri. Duke falënderuar ndërkohë edhe qeverinë gjermane për financimin e fazës së dytë të projektit për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ministri Basha theksoi se në sajë të ndihmesës së qeverive të vendeve euroatlantike po implementohet me sukses strategjia e menaxhimit të integruar të kufirit, si dhe po bëhet progres në luftën kundër krimit të organizuar. Ambasadori i SHBA-së, Withers, duke vlerësuar në fjalën e tij punën e Policisë së Shtetit në përballjen me sfidat e reja të kriminalitetit, u shpreh se kompjuterët dhe programet e sofistikuara që dhurohen do të përmirësojnë ndjeshëm aftësitë e seksionit të analizës ligjore të sektorit të krimit kompjuterik për të rikuperuar provat elektronike. Withers e cilësoi thelbësor rritjen e kapaciteteve të policisë shqiptare në hetimet dhe ndjekjet penale moderne, veçanërisht ato që përfshijnë mashtrimin financiar, krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, krimin kompjuterik dhe shkeljet tatimore. Donacioni përfshin edhe botimin e një manuali në bashkëpunim me UNODC, mbi identifikimin e provave elektronike, mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre, si dhe mbi metodat e transferimit të sigurt të tyre në laboratorin e kriminalistikës për t‘u analizuar. Ndërsa ambasadori gjerman, Borchard, theksoi se financimi i fazës së dytë të projektit për sigurinë e kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme kryhet në kuadër të mbështetjes që po jep qeveria gjermane për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Ble. Gi.
Ble. Gi.