E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë nga atentatet kimike në SHBA

Nga Express më 13 gusht 2011 në ora 15:00

SHBA-ja i druhet një arme të re kimike, për prodhimin e të cilës ka të dhëna se po punon Al Qaeda.

Sipas gazetës amerikane, “New York Times”, zyrtarë të antiterrorizmit janë gjithnjë e më të shqetësuar se degëzimi më i rrezikshëm i organizatës terroriste po punon për të prodhuar helmin vdekjeprurës ricin, të cilën mund ta paketojë në sasi të vogla eksplozivi dhe ta përdorë në sulme kundër SHBA-së.

Sipas raporteve të klasifikuara të inteligjencës amerikane, anëtarët e Al Qaedas në Jemen po përpiqen të mbledhin lëndën e parë për prodhimin e ricinës, një helm pluhur i bardhë me efekt vdekjeprurës, nëse hyn në aparatin e tretjes ose sistemin e qarkullimit të gjakut.

Shërbimet e inteligjencës thonë se kanë mbledhur dëshmi që vërtetojnë se operativët e Qaedas po përpiqen ta dërgojnë lëndën e parë në laboratorët e provincës Shabwa, në jug të Jemenit.

Sipas agjentëve të inteligjencës, terroristët synojnë të paketojnë helmin vdekjeprurës në sasi të vogla eksplozivi, të cilat mund të shpërthehen në vende të mbipopulluara si qendrat tregtare, aeroportet apo metrotë amerikane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›