Task Forca e Martyt, në fund të verës

Task Forca e BE’së, e cila do të hetojë pohimet e Dick Martyt për trafikim me organe në Kosovë pritet të operacionalizohet deri në fund të verës.
E, stina e verës përfundon në gjysmën e dytë të shtatorit.
Kështu thuhet në raportin më të ri të OKB’së për Kosovën.
“EULEX’i ka konfirmuar se Task Forca do të jetë operacionale në fund të verës, kur procesi i rekrutimit të të gjithë stafit që është duke u finalizuar”, thuhet në këtë raport.
“Task Forca do të përbëhet nga dy prokurorë ndërkombëtarë, disa hetues ndërkombëtarë të specializuar për hetimin e krimeve të luftës. Task Forca do të ushtrojë funksionet e saj nën administrimin e komponentës së drejtësisë së EULEX’it dhe do të ketë selinë në Bruksel dhe Prishtinë”, vazhdon raporti.
Në raport rikujtohet edhe qëndrimi i Serbisë për këtë çështje.
“Beogradi mbetet i vendosur se duhet të ketë një trup të pavarur, i krijuar nga Këshilli i Sigurimit me kompetenca hetuese në Shqipëri dhe më përtej duhet të udhëhequr hetimin”.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, ndërkaq, përmend qëndrimin e palës kosovare në favor të hetimit nga EULEX’i.
“Autoritetet e Kosovës kanë përsëritur vullnetin e tyre për të bashkëpunuar në një hetim rreth pohimeve që përmban Raporti i raportuesit special të Këshillit të Europës, Dick Marty për trafikimin me organe njerëzore dhe ka mirëpritur krijimin e Task Forcës së EULEX’it për të kryer këto hetime”.
Çështja e Task Forcës është adresuar edhe në raportin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB’së rreth aktiviteteve të EULEX’it në Kosovë.
“EULEX’i ka marrë përgjegjësinë për rastin dhe ka vazhduar të lëvizë përpara me hetimet preliminare përmes një Task Force speciale që i dedikohet rastit me prokurorë të ngarkuar vetëm për këtë rast”, thuhet në raport.
“Planifikimi për këtë proces ka arritur në një fazë të avancuar, në pikën ku anëtarët e Task Forcës janë intervistuar dhe rekrutuar si dhe ndërtesat dhe pajisjet për Task Forcën në Bruksel janë siguruar. Task Forca e EULEX’it me seli në Bruksel dhe Prishtinë përbëhet nga një staf i selektuar së voni më detyrë permanente për hetimin e rastit do të jetë operacionale menjëherë pas vendosjes”, thuhet në raportin e EULEX’it.
Sipas raportit, EULEX’i vazhdon të jetë në kontakt me palët relevante dhe aktorët rajonalë derisa procesi hetimor është duke lëvizur përpara.
Aty përmendet edhe bashkëpunimi me Shqipërinë në këtë aspekt.
“Paralelisht me këtë, misioni ka përforcuar programin për sigurinë e dëshmitarëve duke iu ofruar ndër të tjera dhe EUROPOL’it për të përforcuar prospektet për zhvendosje jashtë vendit dhe duke rritur fondet për këto zhvendosje”, thuhet në raport.