Frikësohet shitësja dhe jep alarmin për grabitje
Një 48-vjeçar ka përfunduar në polici, pasi shitësja ka menduar se ai do grabiste një dyqan telefonash. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, por pas sqarimit të situatës, i dyshuari është lënë sërish i lirë. Bëhet fjalë për një debat që ka pasur shitësja e dyqanit me 48-vjeçarin. Sipas të dhënave policore, ai ka pasur mosmarrëveshje me shitësen dhe menjëherë ajo ka dyshuar se do t’i grabiste dyqanin. Menjëherë ka shtypur butonin e alarmit dhe pa vonuar në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e policisë private. Duke parë situatën, ata e kanë shoqëruar 48-vjeçarin për në Komisariatin Nr. 3 të policisë së kryeqytetit. Menjëherë i dyshuari është marrë në pyetje nga policia dhe ka rezultuar se ai ishte zënë me shitësen për shkak të blerjes së një celulari dhe nuk kishte ndërmend të vidhte asgjë. Më tej është marrë në pyetje edhe shitësja dhe pas sqarimit janë lënë të lirë të dy personat.
#