Lëvizjet në polici, Kufiri rritet me 300 uniforma blu
Ndryshimet e policisë nuk kanë përfunduar, pasi priten që mbi 100 efektivë nga struktura të ndryshme të saj t’i kalojnë kufirit, duke plotësuar numrin prej 300 efektivësh, që ka lindur si nevojë emergjente. Informacioni është bërë i ditur nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që shpjegojnë se deri tani, rreth 200 forca policie i janë shtuar Departamentit të Kufirit. Nevoja për to ka lindur për shkak të kërkesës së Shqipërisë për liberalizimin e vizave, me qëllim që të forcohet kufiri sa më shumë, pasi ishte një ndër pikat e dobëta të vendit tonë. Pas kësaj, rialokimi i forcave të policisë do të kryhet edhe te seksionet e ruajtjes së objekteve, ku efektivët do të shkrihen në strukturat e tjera të policisë. Kjo do të bëhet për plotësimin e koeficientit për raportin e punonjësve të policisë me vendet e shërbimit, por nuk lihen mënjanë edhe ndryshimet në sektorë të ndryshëm, duke u bazuar në nevojat e përhershme që ka policia.
Ndryshimet në kufiSipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke qenë se Shqipëria i ka vënë synim vetes për liberalizimin e vizave dhe hyrjen në BE, punonjësit e rendit janë një faktor i rëndësishëm për arritjen e këtyre proceseve. Fillimisht, aty nga muaji tetor i vitit 2009, siguria e kufijve nga policia ishte një problem shqetësues. Meqë shumë emigrantë të paligjshëm tentonin kalimin ilegal për në Greqi, ku kërkonin të punësoheshin, lindi nevoja që të shtohen forcat në kufirin e gjelbër. Por, jo veç emigrantët. Kufiri i gjelbër po shfrytëzohej edhe nga trafikantët e drogës, pasi rrugët detare ishin bërë tejet të vështira. Megjithatë, sipas të dhënave, gjithë rastet e konstatuara nga policia greke, që vinin nga Shqipëria, raportoheshin në nivele të ndryshme të shteteve të BE-së dhe shifrat flisnin negativisht për vendin tonë. Duke marrë shkas për këtë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh se do të bëhet një rialokim i policisë. Pas një studimi sesa duhej të rritej policia kufitare, rezultoi se nevoja emergjente ishte për rreth 300 punonjës të niveleve të ndryshme. Gjatë gjithë këtyre muajve, duke tentuar të lëvizin punonjësit nga një strukturë në tjetrën, me qëllim që mos të dëmtojnë punën e policisë, duke e dobësuar në një sektor për të forcuar një tjetër, u kryen rreth 200 lëvizje punonjësish policie. Tashmë, kanë mbetur edhe rreth 100 të tjerë, që do të kalojnë në strukturat e kufirit, që aktualisht po kryhen sipas procedurave të projektit të rialokimit.
Ruajtja e objektevePor, rialokimi i policisë nuk përfundon me këto lëvizje të fundit. Siç dihet, që në fillim të muajit shtator të vitit 2009, policia shqiptare, për herë të parë në historinë e saj, ashtu si e gjithë administrata shtetërore, ka implementuar 40-orëshin e punës në javë. Kjo u arrit pas një sërë përpjekjesh, edhe nga ana e sindikatës, por që vazhdon të ketë problemet e saj dhe mos të gjejë zbatim në masën 100%. Për realizimin e saj në të gjitha strukturat, ashtu siç është vlerësuar nga specialistët, policia nuk ka numrin e duhur të punonjësve. Sipas të dhënave, aktualisht policia shqiptare ka në radhët e saj rreth 9700 punonjës policie. Strukturat e rendit janë ndarë në katër njësi, me qëllim që të mbulojnë tre turne dhe koeficienti aktual është 4.1 punonjës policie për një vend-shërbim. Megjithatë, për realizimin e plotë të kësaj, sipas përllogaritjeve të specialistëve të personelit, koeficienti duhet të ishe 5.2 punonjës policie për një vend-shërbim dhe atëherë punonjësit e policisë do të punonin vetëm 40 orë punë në javë. Kështu lindi nevoja që të rritet numri i përgjithshëm i forcave të policisë, ku siç dihet, deri në vitin 2005 vendi ka pasur rreth 12 mijë punonjës policie. Por, kjo ra në kundërshti me qeverinë shqiptare, e cila deklaroi se nuk mund ta rriste buxhetin e policisë dhe kërkoi që ky problem të rregullohet brenda aq strukturave që ka aktualisht. Kështu, nga policia është menduar që deri në fillim të vitit 2011, ruajtja e objekteve të shkrihet dhe efektivët e saj të kalojnë në struktura të tjera të policisë, duke plotësuar numrin e duhur për çdo strukturë, me qëllim realizimin e 40 orëve të punës në javë. Ndërsa ruajtjen e objekteve policia mendon që ta zgjidhë në mënyrë tjetër, ku disa institucione të ruajtura prej saj t’i kalojnë policisë private. Aktualisht, policia po kryen lëvizje në radhët e saj në nivele të ulëta.
#