E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në Itali shqiptarit të cilësuar si mbreti i heroinës

Arrestimet Në një tjetër operacion, policia kapi edhe tre emigrantë që shpërndanin kokainë

Katër shqiptarë janë arrestuar dje në Itali, ku një cilësohej si “mbreti i heroinës”, ndërsa tre të tjerët janë kapur duke shpërndarë kokainë. Mediat italiane shprehen se është kapur në Itali Erin Petja, një ndër trafikantët më të mëdhenj të drogës. 32-vjeçari shqiptar që njihej dhe me emrin “Xhimi”, është vënë në pranga nga efektivët e policisë së Padovës, në Italinë veriore. Siç bëhet e ditur nga policia italiane, Petja është i njohur si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës, veçanërisht të heroinës, mes Shqipërisë dhe Italisë. Shqiptari, i cili është arrestuar rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, ishte i kërkuar prej tre vitesh në nivel ndërkombëtar dhe shumë herë kishte mundur që t’i shpëtonte arrestimit. “Mbreti i heroinës” është dënuar me 17 vite burg, pasi në kohë të ndryshme ka trafikuar më shumë se 90 kilogramë heroinë. Vënia në pranga e tij është bërë në stacionin hekurudhor të Padovës, kur sapo kishte mbërritur me tren nga kryeqytetit italian, Romë. Shqiptari, i cilësuar si një ndër më të kërkuarit e policisë italiane, është dërguar në qeli, ku pritet të merret në pyetje dhe t’i komunikohen akuzat. Nga ana tjetër, po dje, tre emigrantë shqiptarë u arrestuan nga policia italiane ndërsa po shisnin kokainë në një qendër tregtare në Itali. Sipas burimeve zyrtare të policisë italiane, e cila mbajti një konferencë për media pas aksionit, të arrestuarit janë Admir Dimo 24 vjeç, Folks Istrefi 26 vjeç, banorë në Graffignana dhe Alban Vata 20 vjeç, banues në Caselle Lurani. Ata ranë në pranga gjatë një aksioni policor kundër drogës. Ndjekja e tre shqiptarëve filloi të premten, rreth orës 21:45, pas një kontrolli në Piazza Matteotti, një zonë e cila njihet si vendqëndrim i përdoruesve të drogës. Disa agjentë të policisë, të pajisur me përgjues, qëndruan aty duke zbardhur gjithë mënyrën si realizohej krimi. Shqiptarët vepronin me një makinë “Ford Fiesta”, me të cilën shpërndanin kokainën, duke ecur ngadalë. Policia ndërhyri pas sigurimit të provave të nevojshme, duke i kapur shqiptarit Admir Dimo 20 gramë kokainë e po ashtu edhe 20 gramë kokainë të tjera u gjetën të fshehura në ndenjësen e pasme të automjetit. “Vlera e përgjithshme e mallrave të konfiskuar shkon në rreth 30 mijë euro”, tha policia. Sipas saj, kontrolli në banesat e tre shqiptarëve nuk zbuloi sende të paligjshme. Dje në mëngjes gjykata i konsideroi të vlefshme arrestimet, duke hedhur poshtë kërkesat e avokatëve për lirimin e klientëve të tyre. Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet më 27 prill.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›