E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen kuotat dhe kriteret e bursave, si dhe ku të aplikoni

Këshilli i Ministrave ka vendosur dje kuotat dhe kriteret për të marrë një bursë, si për studentët, ashtu edhe për nxënësit e shkollave të mesme profesionale, apo shkollave të mesme, kur ato ndodhen 5 kilometra nga vendbanimi i nxënësve. Në total, qeveria ka miratuar 1600 bursa për studentët dhe 190 bursa për nxënësit e shkollave të mesme. Ndërkohë që afatet për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 30 nëntor 2008

Kriteret në bazë të nevojës

Kriteret për të marrë një bursë nga ministria janë të ndryshme në bazë të mënyrës së dhënies së bursës. Kështu për të marrë një bursë për arsye ekonomike, aplikanti duhet të vazhdojë studimet larg vendbanimit të tij, në largësinë mbi 5 km dhe të plotësojë kriterin ekonomik. Për nxënësit që banojnë në fshat pa shkollë 9-vjeçare, duhet të vendosen në konvikt publik në mënyrë që të përfitojnë bursën brenda rrezes prej 5 km.

Ndërkohë, bursë nevoje përfitojnë edhe ata që kanë përfituar statusin e jetimit, kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, që janë të martuar me fëmijë e vendosen në konvikt publik, apo që kanë statusin e invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe që plotëson kriterin ekonomik.

Kriteret në bazë të meritës

Por shteti jep bursa edhe për më të mirët e shkollave. Kështu, bursa marrin të gjithë nxënësit e arsimit të mesëm profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10-a, studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme, me Medalje Ari, apo që janë shpallur ndër 30 më të mirët e Maturës Shtetërore. Ndërkohë, bursë përfitojnë edhe studentët që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10-a, si edhe ata që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë, në vitet e dyta e lart dhe që e kanë përfunduar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8.

Bursat e veçanta

Ndërkohë, bursë të veçantë përfitojnë fëmijët e punonjësve të policisë, që kanë humbur jetën në krye e për shkak të detyrës dhe nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8.

Studentët

Në total, Ministria e Arsimit do të akordojë 1600 bursa për studentët në gjithë vendin. Kriteri kryesor për të gjithë studentët është që të kryejnë studimet e larta 5 kilometra larg vendbanimit të tyre, përveç rasteve të parashikuara ndryshe, si për jetimët, fëmijët e policëve të vrarë në krye të detyrës, paraplegjikëve e tetraplegjikëve, e raste të tjera të ngjashme me to.

Vlen të theksohet se aplikimi bëhet në dy faza të ndryshme dhe se bursa merret nga dy institucione të ndryshme. Për studentët që regjistrohen për herë të parë në shkollë të lartë, bursat do të jepen nga komunat dhe bashkitë, ku studenti apo nxënësi ka vendbanimin. Ndërkohë, për studentët që regjistrohen në vit të dytë e më lart, pra që kanë përfunduar vitin e parë, bursat do të jepen nga vetë universiteti. Në të dyja këto raste fondi shpërndahet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, por përzgjedhja bëhet nga institucionet përkatëse.

Nxënësit

Për sa u përket nxënësve, bursat për ta në vitin shkollor 2008-2009 janë parashikuar të jenë 190. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se shumica e këtyre bursave do të jepen për ata nxënës që kanë zgjedhur të vazhdojnë një shkollë të mesme profesionale, e që ndodhet larg vendbanimit të tij.

Ndërkohë, rast të veçantë përbëjnë ata nxënës që zgjedhin shkollat e mesme profesionale për veterinari, bujqësi e ndërtim, të cilat Këshilli i Ministrave ka zgjedhur t`i ndihmojë për shkak të mospëlqimit të këtyre shkollave nga ana e nxënësve dhe kërkesës së ulët për regjistrim.

Jetimët

Rast të veçantë në vendimin e Këshillit të Ministrave përbëjnë jetimët. Në këtë mënyrë, ata “që kanë përfituar statusin e jetimit apo nxënësit e Institutit të fëmijëve, që nuk dëgjojnë dhe të Institutit të fëmijëve, që nuk shikojnë, përfitojnë falas veshmbathje, libra, fletore etj.”, sipas Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, kjo kategori nxënësish/studentësh përjashtohet nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat.

Për më tepër, jetimëve u sigurohen falas nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës dhe të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit. Ndërkohë që ata e përfitojnë bursën edhe gjatë pushimeve verore, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor, për rezultate jokaluese.

“Fëmijët dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një vakt ushqim (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë”, – përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave.

Afatet

Afatet e aplikimit dhe dhënies së bursave janë të ndryshme për studentët që hyjnë për herë të parë në universitet apo në shkollat e mesme profesionale dhe për ata që kanë përfunduar vitin e parë akademik ose shkollor. Në këtë mënyrë, në bazë të vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave.

Ndërkohë që për ata që kanë përfunduar vitin e parë dhe që vijojnë vitin e dytë dhe më lart në universitet apo në shkollat e mesme profesionale, afati do të jetë më i vogël, 30 nëntor 2008. Kjo, pasi për studentët që hyjnë për herë të parë në universitet apo në shkollat profesionale, nuk ekzistojnë të dhënat paraprake

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›