E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës, aplikime për pedagogë nga Harvardi

Kanë përfunduar aplikimet për në universitetin më të madh në vend, atë të Tiranës. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se më shumë se 340 aplikantë kanë dorëzuar dosjet e tyre në zyrat e rektoratit të Universitetit të Tiranës, për 160 vendet e mbetura bosh në këtë universitet. Rektori Kule deklaroi se niveli i aplikimeve ishte mjaft i lartë.

Aplikime edhe nga Harvardi

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, u shpreh i kënaqur nga niveli i aplikimeve për pedagog në këtë universitet, duke deklaruar se ndër dosjet e paraqitura në rektorat gjendeshin edhe diploma të universiteteve më të mëdha në botë, si ai i Harvardit. “Për postet e pedagogëve kanë ardhur shumë aplikime edhe nga ata që kanë përfunduar shkollën jashtë vendit”, – deklaroi prof. Kule, – madje ndër këto kërkesa ka edhe të diplomuar në Universitetin e Harvardit”.

Në total në rektorat janë paraqitur 340 kërkesa, që do të thotë dyfishi i vendeve bosh në universitete. Tashmë do të nisë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për të listuar përfundimisht 160 emrat, që do të bëhen pedagogë të universitetit më të madh në vend. “Dua të siguroj se procesi do të jetë aq transparent, sa ka qenë edhe procedura e hapjes së konkurrimit”, – deklaroi prof. Kule, duke shtuar se ndër aplikimet do të fitojnë 160 dosjet më të mira.

Konkurrimi do të kryhet me anë të dosjeve që kanë paraqitur kandidatët, ku janë përfshirë, diplomat, cv-ja, botimet shkencore etj. Në bazë të kërkesës së Universitetit të Tiranës, përparësi do të kenë ata që kanë përfunduar doktoraturë, apo master jashtë vendit dhe ata që kanë përfunduar doktoraturë dhe master me medalje ari ose me nota shumë të mira.

Aplikimet në universitetet e tjera

Universiteti i Tiranës nuk është i vetmi që ka hapur procedurat për pedagogë të rinj. “Universiteti Politeknik i Tiranës do të punësojë 40 pedagogë të rinj”, - u shpreh rektori i këtij institucioni, Jorgo Kacani, sipas të cilit, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për staf akademik do të publikohen së shpejti.

"Nevojat më të mëdha për pedagogë të rinj ndihen në lëndët e Teknologjisë së Informacionit, sepse pikërisht atje është shtuar numri i kuotave në krahasim me vitin e kaluar", - tha Kacani.

Por, në mënyrë që shtimi i numrit të studentëve që pranohen të mos shoqërohet me mangësi në mësimdhënie, Universiteti Politeknik ka vendosur të kërkojë punësimin e 40 pedagogëve. Një masë tjetër e marrë është sistemimi i sallave të laboratorëve dhe të auditorëve, që kuotat e sivjetme të përballohen me sukses.

Përmes një vendimi të qeverisë, pritet të punësohen 400 pedagogë në universitetet publike të vendit. Sipas rektorëve, sivjet do të pranohen 20 mijë studentë të rinj në rang kombëtar.

Protestat e studentëve, MASH-i: Nuk kanë kaluar provimet

Ministria e Arsimit ka reaguar dje ndaj protestës së fituesve të konkursit në Akademinë e Arteve duke deklaruar se ata nuk kanë arritur të kalojnë në provimet e Maturës Shtetërore.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në lidhje me ankesën e bërë nga disa kandidatë për në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, që kanë aplikuar për disa programe studimi për të cilat duhet kryer konkurs (Akademia e Arteve, Akademia e Sporteve, Arkitektura te Universiteti Politeknik) bën me dije se në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 78, datë 8.2.2006, “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike, pika 3: “Kanë të drejtë të kërkojnë që të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike, vetëm ata kandidatë të cilët kanë kryer provimet e Maturës Shtetërore”, – deklaroi zyra e shtypit pranë ministrisë.

Në faqen 7 dhe 19 të guidës “Matura Shtetërore 2008”, shpërndarë studentëve, thuhet shprehimisht se Matura Shtetërore nënkupton dhënien e 4 provimeve, nga të cilat dy janë të detyruara dhe dy janë me zgjedhje”.

“Për shkak të ngeljes në një nga katër provimet e Maturës Shtetërore rreth 13.000 nxënës humbën të drejtën për t’u kualifikuar në shkollat e larta këtë vit, – deklaroi ministria. - “Nxënësit që garuan për programet e studimit me konkurs janë njoftuar ditën e konkursit se kualifikimi përcaktohet nga rezultatet në provimet e Maturës Shtetërore dhe në konkurs. Ky njoftim ka qenë edhe i afishuar publikisht në ambientet e Akademisë”.

Sipas këtij institucioni, çdo gjë ka qenë transparente, e shpallur publikisht dhe të gjithë konkurruesit kanë qenë të barabartë në garën e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›