E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, kompetencat e Ramës prishin konsensusin

 

BLEDAR HOTI

Ligji i “Legalizimeve” do të votohet në Kuvend pa konsensusin mes maxhorancës dhe opozitës.  Socialistët janë tërhequr nga dhënia e konsensusit, duke kërkuar më tepër hapësira ligjore për kompetencat që do të kenë në procesin e legalizimit njësitë e qeverisjes vendore. Shkak i kësaj janë bërë kompetencat e kryetarit të bashkisë në këtë proces, që përkon edhe me postin e liderit të PS-së, Edi Ramës. Socialistët në këtë komision, pasi paraqitën amendamentet e tyre, si dhe pas rrëzimit të një pjese të tyre, deklaruan se nuk do të japin konsensusin për një nismë të tillë. Kjo ka irrituar deputetët e maxhorancës, të cilët deklaruan se nëse nuk jepnin konsensus, nuk kishin se pse t’i shtynin pa fund ndryshimet ligjore. “Përse ne debatuam një çështje të tillë, apo tani ju erdhi ndonjë sms telefonik nga ana e Edi Ramës që mos ta votoni ligjin”, iu drejtua deputeti Gjergji, socialistëve. Por të majtët kanë theksuar se, “ata nuk janë dakord, pasi të gjitha kompetencat i merr ALUIZNI, duke shmangur bashkitë dhe komunat. Nënkryetari i komisionit, demokrati Rexhep Uka, u shpreh i habitur në lidhje me ndryshimin e qëndrimit të socialistëve. “Është e pamundur të arrihet perfeksioni. Këtu nuk ka munguar vullneti gjatë gjithë kohës për t’i përcaktuar saktë statusin e këtij institucioni që e parashikon ligji. Kemi kërkuar bashkërendim, bashkëpunim dhe ndarje detyrash. Mendoj se të gjitha komentet janë të tepërta, për sa u tha një fjalë që e keni kundërshtuar që në fillim. Gjithë pjesa tjetër është një lloj alibie për të bërë të pamundur atë që nuk u bë gjatë kësaj kohe”, deklaroi Uka. Por socialisti Bufi deklaroi se opozita do të mbajë qëndrim kontestues në lidhje me këtë nismë. Uka ka ndërhyrë duke theksuar se është e kotë që opozita ngre alibi në lidhje me shmangien e procedurave për procesin e legalizimit të banesave informale. “Gjatë procesit të shqyrtimit të neneve në komision pati tendenca konstruktive, por në fund dominoi konstantja, mallkimi që është bërë që në fillim, një lloj alibie për të justifikuar moszgjidhjen e këtij problemi për 8 vjet, plus 3 vjet tonat kur është futur në një proces. Kërkesa ka qenë për t’i dhënë kompetenca pushtetit vendor, kjo nga ne nuk ka munguar asnjëherë, por duhet të keni parasysh se është një ligj integral i plotë, ku përcaktohet një agjenci ku përcaktohet një bashkëpunim dhe bashkërendim, që do të thotë se do të ketë disa ndarje detyrash dhe pushteti vendor është institucion i përhershëm”, theksoi Uka. Sipas tij, “ALUIZNI, nuk jam në gjendje të them, por është i përkohshëm, se kur do mbarojë këtë proces nuk di, dhe gjithçka përfundon te pushteti vendor”. Ndërsa Bufi me tone humori i ka kërkuar “që ALUIZNI të marrë edhe kompetencat e Agjencisë së Pronave”. Ndërsa për shtimin e afatit 60-ditor, socialistët u shprehën se nuk e duan. “Më mirë na hiqni dhe atë se do na e përmendni më vonë”, iu drejtua Hysa deputetëve të PD-së. Deputeti socialist Flamur Hoxha deklaroi se, “ndryshimet nuk e bëra nga PD-ja nuk marrin në konsideratë kërkesat e opozitës si dhe të shoqatës ‘Pronësi me drejtësi’”. Komisioni do të hartojë një raport në lidhje me dekretin e paraqitur nga ana e Presidentit Bamir Topi për çështjen e ligjit të legalizimeve. PD dhe PS do të dalin me dy raporte për çështjen e dekretit dhe për nenet që kërkohen të ndryshohen nga ana e maxhorancës. Presidenti kërkoi që të realizohet një proces paralel në lidhje me legalizimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Gjithashtu një tjetër çështje e ngritur është edhe ajo e shmangies së njësive të qeverisjes vendore në këtë proces.

disa nga nenet e ndryshuara

Presidenti në dekretin e tij kërkon rishikimin e neneve 4,7,19, dhe 24 dhe 28. PD ka pranuar vetëm pjesërisht ato.

Neni 1 të formulohet si më poshtë
“Legalizimin e ndërtimeve informale dhe objekteve me leje në shtesa informale të ndërtuara deri në datën 15.11.2006”

Propozim i shoqatës së ish-pronarëve

Në nenin 4, pika 2

Pika c) shfuqizohet
c) “ALUIZNI bën përcaktimin e territoreve me ndërtime informale brenda njësive të qeverisjes vendore.
Propozim i PD i pranuar dhe nga PS-ja

Në nenin 7 bëhen këto ndryshime
Shkronja a) shfuqizohet
a)subjektet që kanë ngritur objekte informale, kryejnë vetëdeklarimin pranë zyrës së urbanistikës në njësinë e qeverisjes vendore, sipas nenit 1 të këtij ligji.

Shkronja b ndryshohet si më poshtë:
b) njësia e qeverisjes vendore, ku janë ngritur ndërtimet informale të vetëdeklaruara kryen kualifikimin e tyre dhe dërgon pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dokumentacionin e mbledhur gjatë fazës së vetëdeklarimit dhe argumentimin tekniko-ligjor të kualifikimit. Ku për shkak të mungesës së kapaciteteve, neglizhencës apo ndonjë pengese tjetër, njësia e qeverisjes vendore nuk ushtron përgjegjësinë për kualifikimin e objekteve informale, brenda afatit, kjo përgjegjësi ushtrohet tek ALUIZNI.

Afati dy mujor është propozua nga PS, pranuar nga PD

Shkronja c ndryshohet si më poshtë 
c) “Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t kryen evidentimin në terren të ndërtimeve pa leje, në përputhje me situatën e paraqitur nga fotografimi ajror dixhital dhe përpunimin e të dhënave të tyre, sipas ndarjes së kadastrave”.

Shkronja d riformulohet si më poshtë:
d) përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme në pronësi të të tretëve.

Pas shkronjës d) shtohet shkronja “d/1” me këtë përmbajtje:
d/1) ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, listën me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 1 gusht 2008.

Neni 8
“në nenin 12 bëhen këto ndryshime: a) në pikën 2, fjalët ‘brenda 6 muajve’ zëvendësohen me fjalët ‘brenda 3 muajve’”.
Propozimi i PD dhe PR

Në nenin 19 bëhen këto ndryshime  
Shkronja a) riformulohet si më poshtë:

a) Njësia e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me ALUIZNI-n i propozon KRRT-ve, apo KRRTRSH-së, për miratim, kufirin e zonës/vendbanimit/bllokbanimit me ndërtime të legalizuara, së bashku me detyrën e projektimit për urbanizimin e tyre.

Ish-pronarëve i pranohet vetëm një amendament

Përfaqësuesve të ish-pronarëve iu plotësua vetëm një kërkesë, nga 10 amendamentet e paraqitura për ndryshimin e ligjit. Deputeti i PD-së, Ardian Kollozi, në momentin e shqyrtimit të amendamenteve të ish-pronarëve ka ndërhyrë, duke deklaruar se janë dakord vetëm për nenin 1 dhe për propozimet e tjera janë kundër. Ish-pronarët propozuan që të vihet kufiri për ndërtimet pa leje, duke përcaktuar datën 15 nëntor të vitit 2006. Gjithashtu, Vorpsi dhe Toro, si përfaqësues të ish-pronarëve kërkuan që qeveria të përcaktojë vlerën financiare për kompensimin që do të realizohej nga procesi i legalizimit të zonave informale. Një tjetër propozim ka qenë edhe ndërhyrja në nenin 15/1, duke i kërkuar që të realizohej procesi i ballafaqimit në Gjykatë. “Subjektet e shpronësuara kanë të drejtën t’i drejtohen gjykatës në rastet kur nuk janë dakord me masën e dëmshpërblimit”, thuhej në amendamentin e propozuar. Pikë tjetër ka qenë që kartela e regjistrimit të zonave informale duhej të realizohej vetëm nga Hipotekat, e jo siç është në ligjin aktual nga ana e ALUIZNI-t. Në këtë proces ish-pronarët kërkonin përfshirjen në disa procese edhe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Një ndër kërkesat kryesore të Toros dhe Vorpsit është që më parë duhej procesi i kompensimit dhe më pas legalizimi. Demokratët shprehen se ky proces do të nisë më datë 1 gusht dhe do të ecet paralel.

“Pallatet pa leje, të paguhen pronarët”

Me gjithë kontestimet në komisionin parlamentar, Kryeministri Berisha ka vlerësuar dje ndryshimet në ligjin e “Legalizimeve”.

ADI SHKEMBI

 Duke folur para deputetëve demokratë, kreu i qeverisë tha se me amendimet që i janë bërë këtij ligji, kënaqen interesat e pronarëve. Sipas Berishës, “mendoj se në ligjin ‘Për legalizimet’ janë bërë kompromise të rëndësishme, të cilat përfillin më mirë interesat e pronarëve”. Sipas kreut të qeverisë, të gjithë ndërtuesit duhet të plotësojnë deri në fund kushtet e pronarëve.
Pallatet
Duke u ndalur në një prej pikave të këtij ligji, që ka të bëjë me ndërtimet brenda vijës së verdhë, Kryeministri Berisha tha se për të gjitha këto ndërtime, ekskluzivitetin do ta kenë pronarët realë të tokës. Sipas kreut të qeverisë, çdo person që ka pushtuar truallin duhet të paguajë çmimin e tokës. “Këto rregullime bëjnë disa specifikime të domosdoshme lidhur me ndërtimet brenda vijës së verdhë, por dhe jashtë saj, në rastin konkret për ndërtimet brenda vijës së verdhë për të cilën theksohet se të drejtën ekskluzive dhe të vetme për zhvillimin e zonës do ta ketë pronari legjitim dhe vetëm ai”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas Berishës, “mendoj se kjo duhet të thellohet edhe më tej, ai person që ka pushtuar truall me pallat duhet të paguajë çdo centimetër, edhe dëmin, edhe fitimin atij personi që ia ka pushtuar truallin brenda vijës së verdhë, sepse pallati në thes nuk mund të futet”.
Penalitetet
Në të njëjtën kohë, Kryeministri Berisha ka folur shumë ashpër lidhur me ata ndërtues që, sipas tij, kanë pushtuar tokat e pronarëve. Kreu i demokratëve theksoi para deputetëve të grupit parlamentar, se ata ndërtues të cilët nuk i përmbahen kushteve të pronarëve, duhet të përballen me sanksionet që parashikohen në Kodin Penal. “Unë mendoj se para se të miratohet duhet të qartësohet se për ata që nuk u përgjigjen pronarëve, të ketë edhe masa sipas Kodit Penal. Nëse një person është bërë milioner me pronën e një pronari, duhet t’i përgjigjet atij qindarkë për qindarkë dhe, nëse nuk i përgjigjet duhet t’i kthehen në ditë vuajtje dënimi të gjitha dëmet, kudo që ai të jetë. Në këtë mënyrë, ne vendosim një kod moral dhe ligjor më të drejtë. Nuk mund të krahasosh qendrën e qytetit me një zonë të cilën deri pak vite më parë kanë qenë gëmusha, poligone apo objekte të tjera”, theksoi më tej Kryeministri Berisha.

Pronësia, pakt me opozitën

Maxhoranca kërkon konsensusin e opozitës lidhur me reformën në pronësi. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo reformë duhet të përfshijë edhe tokat e papunuara. “Një vend i tillë nuk ka tokë për ta lënë djerrë. Unë kërkoj nga ju, zoti ministër i Bujqësisë, që menjëherë të nisni dialogun me opozitën dhe në komisionin parlamentar përkatës dhe të bësh një diskutim me ta, në mënyrë që të merret një qëndrim i përbashkët, para se vendimi të vijë në qeveri. Këto reforma nuk janë të tilla që të mund t’i bësh si vegu i Penelopës, por janë reforma që po u vendosën duhet t’i qëndrojnë kohës për 30-40 vjet”, theksoi kreu i qeverisë para deputetëve demokratë.

Bufi: PS jo kalimit të kompetencave tek ALUIZNI

Opozita dhe maxhoranca nuk kanë gjetur konsensus për amendamentet e ligjit të “Legalizimeve”. Kompetencat e pushtetit vendor ka qenë edhe çështja e dështimit të negociatave dypalëshe në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Sipas opozitës, qeveria dhe maxhoranca i jep Agjencisë së Legalizimeve edhe kompetencat e bashkive dhe komunave në procesin e legalizimit, gjë që është antikushtetuese. “Ne si opozitë vazhdojmë të kundërshtojmë parimisht kalimin e kompetencave të pushtetit vendor tek ALUIZNI, dhe kjo përbën një nga defektet kryesore të pr/ligjit”, tha deputeti socialist Ylli Bufi. Në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese nuk janë marrë parasysh as vërejtjet dhe propozimet e ish-pronarëve. Këta të fundit kanë kërkuar kompensim përpara legalizimit, si dhe përcaktimin e faturës financiare të këtij ligji. Opozita ka deklaruar votën kundër amendamenteve të maxhorancës në seancë plenare. Ligji pritet të kalojë vetëm me votat e të djathtëve, duke lënë të pakënaqur edhe grupet e interesit. Pronarët e ligjshëm të tokave pretendojnë që Kuvendi të marrë parasysh amendamentet e tyre për përmirësimin e ligjit të legalizimeve. Gjatë raportimit në komisione, ata kërkuan që të mos lejohet më në ligj që pa u kompensuar pronarët e ligjshëm, të paligjshmit të mund të marrin titull pronësie. Përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, kërkoi që pronarët të kenë të drejtën e ankimimit në gjykatë, nëse nuk janë të kënaqur me kompensimin si dhe të mos preken tokat turistike nga ky proces. Nga ana tjetër, kjo kategori pretendon që të nisë sa më parë kompensimi nga shteti ndaj të gjithë atyre që u janë zënë tokat me pa të drejtë nga njerëz të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›