E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i ARMO-s, ja si do të përdoren paratë

Të ardhurat që do të merren nga privatizimi i kompanisë së naftës ARMO, do të përdoren për investime publike si dhe për të ulur nivelin e deficitit buxhetor. 

Fabiola Çela

Në një prononcim për mediat zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, tha se gjysma e të ardhurave që do të arkëtohen nga privatizimi i kësaj kompanie do të përdoren për të ulur deficitin buxhetor. Ulja e këtij treguesi është kërkuar nga përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Qeveria ka rënë dakord që të ulë nivelin e deficitit buxhetor nga 7.9 që është aktualisht në 5.2 për qind. “Ne tashmë po ndryshojmë strukturën e financimit, meqë po rrisin burimet e brendshme nga tejkalimi i tatimeve, taksave dhe nga privatizimi i ARMO-s ne do të ulim disbursimet e financimeve të huaja dhe do të kompensojmë me financimet tona të brendshme, pra, në tërësi investimet nuk ulen”, është shprehur Shehu. Projekti i rrugës Durrës-Kukës vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së qeverisë. Edhe këtë vit, pjesa më e madhe e fondit për investime do të përdoret për financimin e kësaj rruge.
Gati 90 për qind e fondit të investimeve janë destinuar të përdoren për financimin e ndërtimit të kësaj rruge.
Buxheti
“Buxheti shtesë parashikohet të ketë një vlerë prej 25 miliardë lekësh, nga të cilat 15 miliardë do të jenë nga tejkalimi i të ardhurave tatimore dhe doganore, ndërsa pjesa tjetër nga privatizimi i ARMO-s”, ka deklaruar Shehu. Ky është viti i tretë radhazi që qeveria demokrate miraton një buxhet suplementar në mes të vitit. Për këtë vit qeveria ka vendosur që të ketë një rritje më të kontrolluar të pagave. Një vendim i tillë është marrë edhe pas kërkesës së bërë nga përfaqësuesit e FMN-së, sipas të cilëve nuk duhet të ketë një rritje ‘bujare’ të pagave. Këtë vit rritja e pagave dhe e pensioneve do të jetë e diferencuar. Minimumi i rritjes do të jetë 5 për qind për rrogat e larta. Konkretisht për punonjësit buxhetorë, pagat e të cilëve janë mbi 80 mijë lekë rritja do të jetë e vogël gati 5 për qind, pasi për këtë kategori punonjësish rritja e çmimeve të ushqimeve është më pak e ndjeshme. Për sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë rritja e pagave do të variojë nga 10 deri në 17 për qind, por prioritetin më të madh do të kenë mjekët. Përveç rritjes së pagave më 1 korrik do të rriten të gjitha pensionet si ato të fshatit edhe të qytetit. Pensionet e fshatit do të rriten me 10 deri në 15 për qind, ndërsa pensionet e qytetit do kenë një rritje mesatare 8 ose 10 për qind, me qëllim që të ruhet hierarkia e pensioneve.

LSI: Pagat rriten vetëm me 1.8 për qind

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Filloreta Kodra, u shpreh dje se, “për shkak të inflacionit në rritje, pagat për vitin 2008 janë rritur vetëm me 1.8 për qind, nga 8 për qind që është parashikuar në buxhetin e këtij viti”. Gjatë një konference për shtyp, nënkryetarja e LSI-së tha se, “për sa i takon problemit delikat të pagave, në buxhetin e vitit 2008 është parashikuar një rritje mesatare e pagave prej 8 për qind. Me një inflacion të deklaruar për tremujorin e parë të 2008-ës prej 4.5 për qind, rritja reale e pagave është vetëm 3.5 për qind për 6-mujorin e dytë, ose 1.8 për qind si vit kalendarik”, tha Kodra. Nënkryetarja e LSI-së u shpreh se, “kjo rritje pagash nuk ka asnjë lloj lidhje me premtimet dhe lajthitjet qeveritare për dyfishim pagash. Kushdo është në gjendje të kalkulojë diferencën ndërmjet 4.5% aktual dhe 200% të premtimit qeveritar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›