E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshatarët e Bajkajt bllokojnë projektin e Jamarbër Malltezit

Projekti i Bankës Botërore mbi "Menaxhimin e integruar dhe pastrimin e zonës bregdetare" ka pasur një tjetër ndalesë në Sarandë, ku është prezantuar drafti i raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Takimi i dytë i projektit "Menaxhimi i integruar dhe pastrimi i zonës bregdetare", organizuar me pjesëmarrje të grupeve të interesit, si Bashkia e Sarandës, Komuna Vergo, fshati Bajkaj dhe Palavli ka pasur në objekt landfillin e projektuar për t‘u ngritur në fshatin Bajkaj. Në takim u shpjeguan aspektet ligjore në funksion të mbetjeve urbane, me kriterin që ato të mos hidhen më vend e pa vend, por të jenë të grumbulluara dhe të trajtuara në kushte moderne sipas kërkesave të Bashkimit Europian. Është pothuajse faza përfundimtare e këtij investimi. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, tha se zjarri i rënë para disa ditësh në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Sarandës në Vollder, ka treguar se sa shumë duhet shpejtuar për të realizuar zgjidhjen përfundimtare dhe bashkëkohore me plehrat, për të hyrë sa më shpejt në funksionim landfilli në Bajkaj. Koordinatori i projektit, Jamarbër Malltezi, fillimisht ka folur për aspektet ligjore në trajtimin e mbetjeve urbane. Sipas tij, çështja për t‘u trajtuar mbetjet urbane është e domosdoshme, pasi ato tani hidhen në vende të pakontrolluara, duke krijuar kështu mjedis të papastër dhe të papranueshëm edhe për turistët që vijnë në Sarandë dhe gjithë bregdetin. Përmes një videoprojektori u treguan me foto vende të ndryshme të grumbullimit të plehrave në mënyrë të pakontrolluar në zona të ndryshme të vendit tonë, ndërkohë që ky realitet është vënë përballë atij që paraqet landfilli në Artë të Greqisë. Madje Malltezi sugjeroi edhe krijimin e një grupi me 20 apo 30 veta, përfaqësues nga grupe interesi për të shkuar në Artë dhe për të parë nga afër landfillin e ngritur në atë vend. Billy Moore, ekspert për komponentin e mbetjeve i kontraktuar nga projekti, u ndal në dallimin kryesor që ka mes venddepozitimeve të vjetra me landfillin modern dhe në vlerësimin e përzgjedhjes së vendit ku do të sistemohet landfilli. "Kundërshtia, tha ai, vjen si pasojë e përvojave jo të mira me vendet e depozitimeve të mëparshme". Eksperti lokal për vlerësimin mjedisor, Sulejman Sulçe, ka dhënë në takim detaje më të imta për landfillin në Bajkaj, në të mirë të zbatimit të këtij projekti.

Përfaqësues të komunitetit të fshatit Bajkaj dhe përfaqësues të degës së bujqësisë dhe ushqimit në Delvinë, u shprehën se si zonë janë plotësisht kundër vendit ku është përcaktuar të ngrihet ky landfill, pasi kjo vepër do të shkatërronte rreth 200 hektarë vreshta dhe shumë ullishta në një nga tokat më të pasura të zonës. Në këtë kuptim, ata e kanë quajtur ndërtimin e landfillit në këtë vend një "bombë ekologjike". Mund të gjenden vende të tjera, qoftë dhe në këtë zonë, por jo në mes të parcelave, argumentuan ata. Romeo Eftimi, inxhinier gjeolog, ekspert në stafin e kompanisë projektuese, tha se janë bërë mjaft eksperimente për vendin ku është përcaktuar ndërtimi i landfillit, duke sjellë si argument që toka në këtë vend është e pafiltrueshme dhe se nuk ka ujëra nëntokësorë. Edhe pas këtij takimi, banorët nuk kanë hequr dorë nga ideja e kundërshtimit të ngritjes së landfillit në Bajkaj, me gjithë përfitimet dhe avantazhet që atyre u ofron projekti, si furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në 24, lidhjen e fshatit me rrugë me asfalt me rrugën nacionale etj. Këtë ata e kanë kundërshtuar edhe në mënyrë masive, duke protestuar kohë më parë në qendër të fshatit e duke thënë se do të bllokojnë edhe rrugën nacionale, nëse punimet do të nisin pa respektuar vullnetin e banorëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›