E Diel, 1 Nëntor 2026

Klandestinët, policia greke kthen çdo ditë 160 veta në Kapshticë

Një numër i madh emigrantësh klandestinë po kthehen në këto ditë të nxehta nga ana e palës greke në pikën kufitare të Kapshticës. Çdo ditë, autobusë dhe mjete të policisë greke kthejnë në kufi shtetas të shumtë, kryesisht të rinj, që kapen si klandestinë pasi kalojnë nga mali dhe depërtojnë në thellësi të territorit grek. Shtimi i këtij fluksi lidhet me kushtet e përshtatshme të motit që në këtë periudhë e favorizojnë së tepërmi lëvizjen e grupeve të emigrantëve klandestinë nga kufiri i gjelbër në zonën e Devollit. Të paktën 158 persona kthehen çdo ditë nga ana e palës greke, të kapur në thellësi të shtetit fqinj pa dokumente. Pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve bien shpejt në grackën e policisë greke, megjithatë kjo përballje me policinë kufitare duket se nuk i ka ulur kalimet e paligjshme nga zona e Devollit. Vetëm gjatë muajit korrik, siç bëhet e ditur nga reparti i GOS-it ku përpunohen të dhënat për deportivët e kthyer nga ana e policisë greke, mësohet se janë kapur dhe kthyer të paktën 4300 klandestinë shqiptarë, të grupmoshave nga 18-35 vjeç. Burimet e policisë kufitare thonë se kjo shifër është rritur ndjeshëm për shkak të kushteve të motit. Sipas policisë kufitare, janë shtuar patrullimet në disa nga linjat kryesore, gjë që ka çuar në ndalimin e të paktën dhjetë grupeve të rinjsh që tentonin të kalonin në mënyrë ilegale kufirin. Por sërish problemi mbetet i pashmangshëm, pasi klandestinët gjejnë shtigje të reja, duke anashkaluar ato që njihen tashmë prej policisë që kalojnë nga Kapshtica, Treni, Poncara dhe Mirasi.

Sipas emigrantëve që kthehen pasi kapen nga ana e palës greke, pjesa më e madhe e tyre kanë kaluar më shumë se pesë herë në mënyrë ilegale, por siç deklarojnë ata, për shkak të mungesës së të ardhurave dhe vendeve të punës detyrohen të rinisen sërish, duke gjetur rrugë të reja për të kaluar kufirin. Nga ana e palës greke, shoqërimi i klandestinëve që kryhet me mjete të policisë deri në kufi në disa raste, shoqërohet edhe me prangosjen e tyre. Një pjesë e klandestinëve vijnë me pranga në duar gjatë dorëzimit pranë autoriteteve vendase, për faktin se sipas policisë fqinje mund të tentojnë gjatë rrugës të sulmojnë uniformat ose njëri- tjetrin. Kjo ka bërë që shoqërimit të tyre t‘i shtohet edhe kjo masë sigurie. Me lista të gjata emrash të deportivëve në duar, kryhet dorëzimi i këtyre shtetasve për policinë kufitare. Kjo e fundit ka bërë të ditur se është kërkuar një shtim i masave për të parandaluar në kohë kalimet e paligjshme.

Tre mjete të policisë, si edhe një numër i caktuar efektivësh kryejnë patrullimet në disa nga kryqëzimet ku devijojnë rrugët drejt linjave klandestine. Gjatë këtij viti, sipas policisë janë ndërmarrë një sërë operacionesh dhe ka pasur të paktën 47 të ndaluar për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sipas të dhënave të policisë, nuk kanë munguar rastet kur në mjete janë gjetur edhe fëmijë e të mitur, kryesisht të shoqëruar nga të afërm që tentojnë të ikin familjarisht në mënyrë të paligjshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›