E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli i Kalimashit "shtyn" mitingun e PD-së për të hënën

Inaugurimi i tunelit të Kalimashit shtyn mitingun e Partisë Demokratike për hapjen e fushatës elektorale. Një ditë pas vizitës dhe inaugurimit të veprës së Kalimashit më 31 maj, Kryeministri Sali Berisha do t‘i drejtohet sheshit "Skënderbej" për të çelur zyrtarisht fushatën elektorale.

Zyrtarisht, ky eveniment hapet një muaj përpara datës së zgjedhjeve, por vizita që Kryeministri Berisha, ministrat dhe një pjesë e kandidatëve për deputetë do të zhvillojnë në Kalimash ka spostuar mitingun e hapjes më 1 qershor, ora 19.00 në sheshin "Skënderbej". Mbrëmjen e së martës, strukturat organizative të PD-së kanë vendosur që data e hapjes së fushatës të mos jetë as 28 dhe 29 maji, siç ishte menduar, por 1 qershori. Në këtë mbledhje, është paracaktuar se cilat do të jenë zonat ku kandidatët e Tiranës do të zhvillojnë fushatën. Nëse në 2005-ën, slogani "Me duar të pastra" dhe lufta nga korrupsionit dominoi ndër premtimet e PD-së, katër vjet më pas, qeveria ‘Berisha‘ dhe ekipi prej 140 kandidatësh që garojnë në këto zgjedhje do t‘i mëshojnë fort veprës historike, rrugës "Durrës-Kukës".

Burimet sqaruan se mitingu i programuar që ishte më 28 maj është shtyrë si pasojë e vizitës së kreut të qeverisë në tunelin e Kalimashit. Për organizimin e kësaj fushate, kreu i PD-së ka caktuar ministren dhe zëdhënësen e fushatës, Majlinda Bregu. Ekipi i demokratëve është duke punuar ngushtë me kompaninë amerikane "PSB", e cila do të kujdeset për ditët në vazhdim për imazhin e PD-së dhe 140 kandidatëve të saj. Partia Demokratike edhe këtë herë nuk do ta tradhtojë sheshin "Skënderbej", ku me parullën "Shqipëria po ndryshon", PD dhe 17 aleatët e saj në këto zgjedhje do të çelin zyrtarisht fushatën elektorale.

Kryeministri Sali Berisha inauguron sakaq, të dielën më 31 maj tunelin e Kalimashit. Rruga "Durrës-Kukës" pritet të radhitet në krye të premtimeve të realizuara të qeverisë "Berisha", krahas rritjes së pagave dhe pensioneve. Burime të kompanisë "Bectel-Enka" pohojnë se është hapur edhe tuneli i parë i rrugës Durrës-Kukës. Dy vjet nga fillimi i punimeve, do të bëhet lidhja e veprës inxhinierike më të rëndësishme në Shqipëri, që është tuneli i Kalimashit. Ndërkohë konfirmohet se po punohet me ritme të përshpejtuara edhe në tunelin tjetër të kësaj autostrade që parashikohet të hapet në muajin shtator. Kompania "Bektel-Enka" ka rritur ritmet e punimeve dhe në sektorë të tjerë si përfundimin e 29 urave të këtij segmenti rrugor me gjatësi prej 60,4 kilometra, si dhe në procesin e asfaltimit. Gjatë dy viteve të fundit "Bektel-Enka" në dy sektorët e saj punësoi rreth 3400 punonjës, shumica shqiptarë. Në funksion të vazhdimit normal të punës u vunë mbi 1300 mjete të llojeve të ndryshme. Autostrada "Durrës-Kukës", një projekt i qeverisë shqiptare, është vepra më e madhe inxhinierike në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›