Oketa mbështet lëvizjen e lirë të shtetasve
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë vizitës së tij në Greqi ka marrë mbështetje nga zyrtarët e lartë të shtetit fqinj se do të ndihmojnë Shqipërinë në lëvizjen e lirë të shtetasve të saj drejt vendeve të tjera të BE-së. Ministri grek i Mbrojtjes, Meimarakis, theksoi se Greqia ka zgjeruar tashmë lëvizjen e lirë të qytetarëve mes 2 vendeve, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh edhe në fushën ushtarake. Ndërsa ministri Oketa i vlerësoi si shumë pozitive marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe mbështetjen e siguruar nga Greqia për anëtarësimin në NATO. Në Greqi, ministri i Mbrojtjes pati takime edhe me Kryetarin e Parlamentit grek, të cilit i shprehu falënderimet për ratifikimin në kohë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe më pas theksoi se objektivi tjetër madhor i Shqipërisë është tashmë integrimi në BE. Gjithashtu, ministri Oketa është takuar edhe me studentë shqiptarë që jetojnë në Greqi.