E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpara hetimit, dorëheqja

• Nga Blendi KajsiuTeksa davaritet tymi dhe tronditja e     shpërthimit të Gërdecit dalin në pah edhe përmasat në rritje të kësaj tragjedie. Të vrarëve, të plagosurve, të pastrehëve u shtohen edhe bizneset që falimentojnë nga dëmi material dhe ekonomik. Pasojat mbeten ende për t’u parë, me shpresën dhe urimin që do të tejkalohen sa më shpejt. Gjithsesi implikimet e Gërdecit shkojnë shumë përtej tragjedisë së dhimbshme njerëzore. Përveç qytetarëve dhe besimit tonë tek qeverisja, është goditur edhe zemra ekonomike e vendit.   Është hedhur në erë edhe imazhi i Shqipërisë si një vend drejt normalizimit, veçanërisht pas paqes pozitë–opozitë dhe shpresës për anëtarësim në NATO.  Pavarësisht deklaratave të politikanëve se ngjarja nuk do të ndikojë në pranimin e Shqipërisë në NATO, fakti mbetet se në kushtet aktuale ky pranim zbehet së tepërmi. Shqipëria nuk e synonte anëtarësimin në NATO, sepse kërcënohej nga ndonjë fqinj agresiv apo për të ruajtur integritetin e saj territorial.  Qëllimi ishte që Shqipëria të klasifikohej si një vend “normal” me stabilitet dhe disa garanci themelore që të tërhiqte investime nga jashtë, duke nxitur kështu zhvillimin ekonomik. Pas Gërdecit, edhe sikur Shqipëria të pranohej në NATO nesër, vështirë të besosh se ndonjë investitor i huaj do të vraponte drejt nesh.  Nëse siguria mungon në zemrën ekonomike të vendit, Tiranë – Durrës, si mund ta kërkosh atë gjetkë. Imazhet e Shqipërisë që ndjekin shpërthimet e Irakut në CNN, fshinë një sërë përpjekjesh qeveritare për të promovuar imazhin e Shqipërisë në botë si një vend tërheqës për investime. Natyrisht për t’i kuptuar më mirë përmasat e tragjedisë duhen parë edhe rezultatet e hetimit. Zyrtarët e theksojnë këtë pafund dhe prokuroria është vënë në punë. Por përpara hetimit duhet kuptuar dhe pranuar dimensioni politik i kësaj tragjedie, dimension që hetohet, por nuk përcaktohet nga prokuroria.  Përpara se të presim rezultatet e hetimit duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një dështim spektakolar të shtetit dhe të qeverisë. Vendndodhja e municioneve, afërsia me vendbanimin, teknologjia dhe punëtorët e demontimit, janë që të gjitha një dështim që ka ndodhur në dritën e diellit. Që implikon dhe vesh me përgjegjësi jo vetëm Ministrinë e Mbrojtjes, por të gjithë ekzekutivin dhe veçanërisht kreun e tij. Ky është edhe dimensioni politik i ngjarjes që mund të qartësohet nga prokuroria, por jo të përcaktohet prej saj. Prandaj sa më parë duhen marrë përgjegjësitë nga ekzekutivi dhe kryeministri për këtë dështim tragjik.     Dhe dështimi nuk ka të bëjë thjesht me tragjedinë e Gërdecit, por edhe me menaxhimin politik të saj. Pas shpërthimit kreu i ekzekutivit lëshoi të paktën tre deklarata publike të pavërteta. Së pari, u deklarua se Ministria e Mbrojtjes nuk kish përgjegjësi, sepse merrej me transportin e municioneve. Pak minuta më vonë mediat publikuan vendimin e Këshillit të Ministrave VKM, ku përcaktoheshin qartë përgjegjësitë e Ministrisë së Mbrojtjes për inspektimin e “fabrikës”. Edhe pa botimin e VKM-së është lajthitje të besosh që qeveria që inspekton edhe një qebaptore nuk inspektoka një fabrikë demontimi predhash. Së dyti, u deklarua po nga kryeministri se firma që merrej me demontimin ishte amerikane, ndërkohë që mediat botuan deklaratën e firmës që pretendonte se kontrata e saj që nuk mbulonte predhat kish mbaruar në 2007, ndërsa dëshmitë tregojnë se “amerikanët” e fabrikës ishin banorë të zonës. Së treti, u deklarua publikisht nga kryeministri se punëtorët ishin të trajnuar, teksa dëshmitë pafund tregonin se aty ishin punësuar edhe të mitur apo adoleshentë, pa folur për të tjerë hallexhinj.    Në kushtet e krizës secila prej këtyre deklaratave do të ish e mjaftueshme që kryeministri të dorëhiqej. Të tria së bashku e bëjnë dorëheqjen të domosdoshme. Pak rëndësi kanë spekulimet se përse lëshohen deklarata të tilla; nga paaftësia, papërgjegjshmëria apo dëshira për të fshehur ngjarjen. Këtë do ta marrim vesh pasi të zbardhet dhe të hetohet ngjarja. Nën hetim nuk është thjesht një kompani private, por vetë qeverisja dhe ekzekutivi, ose më saktë dështimi i tij. Supet e një ministri, biznesmeni apo të ndonjë zyrtari të shtetit janë tepër të vogla për të mbajtur peshën e skandalit tragjik të Gërdecit. Që hetimi të jetë i besueshëm duhet që minimalisht ai të mos “ndihmohet” nga ekzekutivi aktual, kredibiliteti i të cilit është hedhur në erë jo vetëm nga shpërthimi i Gërdecit, por edhe nga menaxhimi i shëmtuar politik i këtij shpërthimi. Prandaj përpara hetimit duhet dorëheqja e kryeministrit për dy arsye. Nga njëra anë kjo i hap rrugën hetimit dhe rrit kredibilitetin e tij. Nga ana tjetër kjo ndihmon përqendrimin e autoriteteve te përballimi i emergjencës. Kështu e gjithë energjia e qeverisjes do të kanalizohet te ndihmesa e viktimave dhe përballimi i krizës dhe jo te justifikimi i saj. Në këto kushte akti më fisnik, human dhe i përgjegjshëm i kryeministrit do të ishte dorëheqja dhe krijimi i një ekzekutivi të ri, po brenda të djathtës, për të përballuar situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›