Lufthansa dyfishon fluturimet e saj me Shqipërinë në linjën Tiranë-Mynih

Kompania ajrore Lufthansa dyfishon fluturimet e saj me Shqipërinë. Linja ajrore ndërkombëtare me qëndër në Gjermani nga data 1 prill ka shtuar një fluturim ditor, krahas shërbimeve të saj ekzistuese ditore, nga Tirana në Mynih. Shërbimi që tashmë ofrohet dy herë në ditë operohet nga një avion me 86 vende në klasin biznes dhe ekonomi dhe do të rrisë dyfish numrin e pasagjerëve që do të fluturojnë midis Tiranës dhe Mynihut. "Menaxheri i Përgjithshëm i Shitjeve të kësaj kompanie për Shqipërinë dhe Bullgarinë, Gabor Horvarth tha sot Tiranë gjatë një konference për shtyp se "fluturimet Tiranë-Mynih janë pritur mirë nga pasagjerët tanë, sidomos nga komuniteti i biznesit gjithnjë në rritje". Ai shtoi se "jemi krenar të shtojmë prezencën tonë në Shqipëri dhe t'u ofrojmë klientëve tanë një orar sa më fleksibël dhe kapacitete shtesë, duke arritur në 2400 vende në javë. Arsyeja se përse ne ndërmarrim një hap të tillë, pavarësisht mjedisit të vështirë ekonomik global, përforcon më tej angazhimet tona në Shqipëri" theksoi Horvarth. Ndërkohë përsa i takon bilancit për vitin 2008, sipas Horvarth, grupi Lufthansa grumbulloi rreth 24.9 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 10.9 %. "Të ardhurat nga trafiku i fluturimeve u rritën në masën 13.8 %, me vlerë 20 miliard euro", vlerësoi ai. Fitimi operacional, sipas tij, për vitin 2008 kap shifrën e 1.35 miliard eurove. Por, vitin 2009 përfaqësues të kompanisë Lufthansa e konsiderojnë, si një ndër vitet" më sfiduese" në historinë e industrisë së aviacionit. Kompania për vitin 2009 sipas tyre do të ketë një bilanc pozitiv, por do të jetë më i ulët se vitin e kaluar, për shkak të efekteve të krizës globale. Në këtë kuadër, Horvarth tha se Lufthansa do të përshtasë ofertën sipas kërkesave aktuale. Kompania ajrore Lufthansa fluturon në 47 destinacione në Evropën Qendrore.
...