Arrestohen 2 italianë, vodhën 150 milionë lekë
Kartat e klonuara
Dy 25-vjeçarë arritën të kryejnë mbi 350 transaksione bankare me karta të klonuara, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat sipas policisë, janë shpenzuar për jetë luksi në kryeqytet
Artan CENA
TIRANë - Nëse çdo ditë dëgjojmë se shqiptarët vjedhin në Itali, tashmë ndodh anasjelltas. Dy italianë janë vënë në pranga, pasi kanë vjedhur më shumë se 150 mijë dollarë në bankomatet e një prej bankave private në Shqipëri. Efektivë të Policisë së Tiranë të drejtuar nga Drejtoria e Antikrimit Ekonomik kanë vënë në pranga gjatë ditës së djeshme dy persona, shtetas italianë, pasi dyshon se me anë të klonimit të kartave të kreditit arrinin të vidhnin sasi parash nga bankomatet e bankave të ndryshme në Shqipëri. Siç duket, dy italianët ishin mësuar në vendin e tyre duke grabitur bankomatet dhe pasi ishin vënë nën shënjestër atje, kishin ardhur në vendin tonë, që të vazhdonin “profesionin” e tyre. Policia e Tiranës bëri të ditur se dy piratët e bankave u arrestuan në një qendër tregtare në Tiranë rreth orës 1:00 të mëngjesit të djeshëm. Në pranga kanë rënë dy 25-vjeçarët me banim në Genova të Italisë, Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualin.
Ata grabisnin bankomate të bankave të ndryshme me anë të kartave të kreditit të klonuara. Në cilësinë e provave materiale, policia ka sekuestruar aparaturat e vjedhjes së informacioneve, si dhe 400 karta kredit të klonuara.
Operacioni
Policia po vijon hetimet e mëtejshme, për të zbuluar se me kë bashkëpunonin shtetasit italianë, ku prodhoheshin kartat e klonuara dhe sa kohë ka zgjatur kjo veprimtari kriminale që ka mbushur me para xhepat e dy italianëve me lehtësi të madhe. Nga të dhënat zyrtare është bërë e ditur se arrestimi i tyre u bë, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy italianët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vende dhe kohë të ndryshme, kanë kryer tërheqjen e shumave të parave në mënyrë të paligjshme në bankomatet e një prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri, duke përdorur karta plastike me të dhëna bankare të falsifikuara. Si rezultat i punës gjurmuese policore, këta shtetas u kapën në flagrancë rreth orës 01:00, në një nga ATM-të e kësaj banke. Nga kontrolli në momentin e kapjes në flagrancë dhe i ambienteve të dhomës së një hoteli luksoz në Tiranë, ku ishin akomoduar këta persona, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale një kompjuter lap-top, me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre, një pajisje elektronike “Memory card reader”, që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare, 19 karta bankare, nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të, një shumë prej 23 000 eurosh, një shumë prej 200 000 lekësh të tërhequra nga ATM në Tiranë, një autoveturë e tipit “Chrysler”, ma targë TR7726R, me ngjyrë të zezë dhe një dosje për kamuflimin e kartave plastike.
Hetimet
Nga hetimet paraprake, deri tani rezulton se ky grup këtë aktivitet kriminal e kryente për herë të dytë në Shqipëri. Deri tani është konfirmuar se në degët e bankës në fjalë janë kryer mbi 750 transaksione, nga këto mbi 350 transaksione të suksesshme dhe mbi 400 tentativa. Gjatë aktivitetit të italianëve mësohet se janë përdorur mbi 250 karta kredit, me anë të së cilave dy italianët kanë arritur të sigurojnë rreth 150 milionë lekë të vjetra. Ka qenë vetë banka ajo që ka denoncuar në prokurori gjetjen e kartave të klonuara, pjesa më e madhe e së cilave mbaheshin nga automatet, gjatë tentativave të dy italianëve për të vjedhur llogaritë bankare të personave të ndryshëm, të dhënat për të cilat ata arrinin t’i vidhnin nëpërmjet pajisjeve të veçanta që kishin siguruar në vendin e tyre.
“Matrix”, të arrestuarit vodhën 2 milionë euro
65 karta krediti “Mastercard” dhe “Visa” ishin përdorur për vjedhjen e rreth 2 milionë dollarëve nga grupi i “hackerave” të arrestuar nga operacioni “Matrix 4”. Gjatë aksionit të rreth një viti më parë, në pranga ranë një numër i madh personash, të moshave të ndryshme. Veprimtaria e “hackersave” shqiptarë kishte nisur të vihet re në Tiranë në fund të gushtit të vitit 2007, por denoncimi i parë ndaj tyre mbërriti në prokurori në muajin dhjetor të po atij viti. Më pas, në janar të vitit 2008 kishte mbërritur një denoncim i dytë, që i ishte bashkuar të parit. Në bazë të hetimeve të kryera, në ngarkim të dy të dyshuarve Prokuroria, duke përdorur përgjimet dhe metoda speciale të hetimit, arriti të zbardhë aktivitetin dhe rrjetin me dhjetëra “hackersa”.
Arrestohet banda e grabitësve
8 në pranga, vinin nga Vlora në Kavajë për të vjedhur
KAVAJë - Janë plot tetë persona që janë arrestuar nga një aksion i policisë së Kavajës, të zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Të arrestuarit, të gjithë nga Vlora, vinin që nga qyteti i tyre dhe kryenin vjedhje të shumta në Kavajë. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Këta të fundit thanë se grupi kriminal i shkatërruar gjatë dy ditëve më parë, akuzohet se ka kryer dhjetëra vjedhje në Kavajë dhe në rrethina. Në pranga mësohet se kanë rënë Lulëzim Kalaja, 32 vjeç, lindur në Kryevidh të Kavajës dhe banues në Vlorë. Për këtë person gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjithashtu, të arrestuar dhe me masën e sigurisë “arrest me burg” janë Elvis Kalaja, 24 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje, Jodian Shametaj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, Gramoz Shehaj, 18 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje, Ilirian Mukaji, 30 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje, Vllasi Furxhi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, Klodian Gabaj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Orikum të Vlorsë. Në pranga ka rënë edhe Beslinda Lile, 20 vjeçe, lindur dhe banuese në fshatin Babicë të Madhe, e dënuar më parë për vjedhje, aktualisht me masë sigurie “arrest në shtëpi”. Nga hetimet e bëra nga policia ka rezultuar se të arrestuarit janë autorë të disa vjedhjeve, si të një lokali në pronësi të një qytetari, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit të kaluar. Gjithashtu, ata akuzohet se po këtë muaj kanë vjedhur një tjetër lokal. Sipas policisë, personat e vënë në pranga janë pjesë e këtij grupi kriminal, me tendencë edhe vjedhjen e banesave. Të arrestuarit në 21 tetor 2009, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kapur në flagrancë përgjatë autostradës Kavajë-Rrogozhinë, duke vjedhur karburant në makineritë e firmës “Saliallari”. Gjithashtu, po i njëjti grup rezulton si autorë të vjedhjes së një lokali, të ndodhur më datë 4 nëntor 2009 në fshatin Vilë, Boshtovë të Rrethit Kavajë, ku janë marrë të gjitha pajisjet e lokalit. Këta akuzohen për afro 7 vjedhje të ndryshme të zhvilluara në Kavajë, kryesisht në lokale dhe banesa private.
Policisë i shtohen edhe 297 makina
TIRANë - Dorëzohen 297 makina policie, të blera nga buxheti i shtetit. Dje është zhvilluar ceremonia e shpërndarjes së 297 automjeteve të reja të blera me fonde nga buxheti i shtetit për Policinë e Shtetit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtues të tjerë të strukturave vendore të policisë. Gjatë fjalës së tyre, zëvendësministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit evidentuan faktin se është hera e parë që bëhet e mundur blerja e një sasie të tillë kaq të konsiderueshme automjetesh për Policinë e Shtetit. Po ashtu, ata theksuan se të 297 automjetet, që llogariten përafërsisht sa 25 për qind e mjeteve në inventarin e Policisë së Shtetit, do të vihen në dispozicion vetëm për shërbimet policore në bazë. “Kjo sasi automjetesh do të ndikoje drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës së shërbimeve policore në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit”, theksoi Burgaj. 297 automjetet e shpërndara gjatë ditës së sotme janë të destinuara për të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve në vend, kryesisht për strukturat e shërbimeve të policisë së rendit dhe qarkullimit rrugor. 90 nga automjetet e reja, të financuara nga buxheti i shtetit, u janë shpërndarë drejtorive të policive në qarqe, për t’u vendosur në dispozicion të strukturave të shërbimit të policisë rrugore. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë në dispozicion të strukturave të shërbimit të patrullave të përgjithshme të Policisë së Shtetit.