E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lidhjet abuzive të energjisë, nga specialistët”

• GJIROKASTËR - Lidhjet abuzive në rrjetin e energjisë elektrike në Gjirokastër dhe rrethet e tjera të jugut janë kryer nga specialistë.Kjo është vërtetuar gjatë kontrolleve që ka ushtruar Shërbimi Rajonal i Kontrollit të Energjisë Elektrike në Gjirokastër. “Aparati ‘spiun’, i mbërritur para pak kohësh, ka evidentuar mjaft lidhje abuzive gjatë kontrolleve të ushtruara jo vetëm në këtë qytet, por edhe në Sarandë e Tepelenë”, ka deklaruar kreu i kësaj strukture, Adriatik Islamaj. “Nga kontrollet që janë ushtruar është vënë re se këto ndërhyrje janë kryer në mënyrë mjaft profesionale, çka lë vend për dyshim se këto veprime ndërmerren nga specialistë të vërtetë”. Sipas Islamajt, do të ishte shumë e thjeshtë të zbuloheshin abuzuesit nëse do ekzistonte një dokumentacion i rregullt dhe i saktë për të gjithë kohën kur është vendosur sistemi i matjes në disa objekte private me fuqi të madhe. “Për fat të keq ky dokumentacion në pjesën më të madhe nuk ekziston, edhe kur ekziston është me mangësi të theksuara dhe kjo e vështirëson më tej punën”, ka pohuar ai. Islamaj bëri të ditur se vetëm përgjatë muajit shkurt janë vendosur 25 masa administrative me vlera të konsiderueshme për abonentë familjarë dhe privatë dhe mësohet se ato do të shtrihen edhe më tej.                                               p.n.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›