Tiranë, pesë zyrtarët e targave nën akuzë për korrupsion pasiv
TIRANE – Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj pesë zyrtarëve të autoshkollave dhe Drejtorisë së Transportit rrugor të akuzuar për korrupsion. Sipas burimeve zyrtare, dosja penale me nr.1338 është regjistruar në Gjykatën e Tiranës për shqyrtim më 26 maj 2009 ndërsa të pandehurit janë Ela Shano, bashkëpronare e autoshkollës “Majestik”, Liman Doka, mësues në shkollën 9-vjeçare Lana-Bregas, i akuzuar si sekser, Vladimir Dervishi, bashkëpronar i autoshkollës “Majestik” dhe Ylli Hasani, komisionar për dhënien e lejeve të drejtimit të mjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor. Burimet zyrtare nga prokuroria, thanë se të pandehurit akuzohen për veprat penale: Korrupsion pasiv në sektorin privat të kryer në bashkëpunim, korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikim i dokumenteve, prodhim dhe mbajtje e mjeteve për falsifikim. Zyrtarët u arrestuan nga policia dhe Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës më 10 dhjetor 2008. Në bashkëpunim mes tyre, sipas Prokurorisë, të pandehurit kryenin dhënien korruptive të provimeve për leje drejtimi për persona që nuk përmbushnin kriteret e vendosura nga ligji. Dhënia e patentave realizohej kundrejt ryshfetit.