E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja 35-vjeçare, mbyllet hetimi

 

Trazhgim Sokolaj

Agim Sefa, një 37 vjeçar me origjinë nga Kukësi, pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës i akuzuar për vrasjen e personit që i kishte prerë veshin kur ishte fëmijë vetëm dy vjeç. Osman Marku, 59 vjeç, u vra më 26 korrik 1997. Krimi i ndodhur 12 vjet më parë, dyshohet se është kryer nga Agim Sefa, i cili besohet se u hakmor ndaj Osman Markut, për historinë e vjetër të nisur në kohën kur dy familjet banonin në Kukës. Osman Marku, sipas hetuesve, i kishte prerë veshin Agim Sefës në kohën kur ishte vetëm 2 vjeç, ndërsa 35 vite më vonë ka ndodhur edhe hakmarrja. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për akuzën e vrasjes ndaj 37-vjeçarit Agim Sefa, i cili akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”. Pas përfundimit të procedurave hetimore, dosja penale është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës ku pritet të fillojë procesi gjyqësor për ngjarjen e pazakontë. Në dokumentet hetimore, prerja e veshit të Agim Sefës, nga Osman Marku, në kohën kur 2-vjeçari ishte vetëm më shtëpi pa mundësi për tu vetëmbrojtur, konsiderohet si fillesa e ngjarjeve. Është e paqartë nëse vetë Agim Sefa kishte arritur të fiksonte personin që i kishte prerë veshin, pasi ishte vetëm 2-vjeçar. Megjithatë dy familjet, Sefa dhe Marku kishin një konflikt mes tyre i cili vazhdoi gjatë.
Vrasja e vitit 1997
Mosmarrëveshjet e lindura që në Kukës mes familjeve Sefa e Marku, duket se janë transferuar në Tiranë. Dy familjet u shpërngulën për t’u vendosur në periferi të kryeqytetit pas viteve ‘90. Por konflikti vazhdoi. Më 26 korrik 1997, Osman Marku, atëherë 59 vjeç, u qëllua me armë zjarri në prani të bashkëshortes së tij. Kjo e fundit edhe pse pa me sytë e saj vrasjen e të shoqit, gjatë pyetjes në polici nuk arriti të identifikonte autorin e ngjarjes. Gjatë hetimeve për vrasjen e Osman Markut në vitin 1997, pak ditë më pas, policia shoqëroi edhe Agim Sefën, i cili asnjëherë nuk e pranoi krimin. Në mungesë të provave dhe dëshmive, policia u detyrua që pak ditë më vonë, të linte të lirë të dyshuarin Agim Sefa. Ai kishte dhënë deklarime të qarta në polici duke mohuar vrasjen, ndërsa dosja penale u mbyll pa autor. Ashtu si shumë dosje të tjera, në vitet 2007-2008 edhe vrasja e Osman Markut u rihap. Provat u rimorën në shqyrtim ndërsa agjentët e policisë iu rikthyen pyetjes së dëshmitarëve. Pak kohë pas rihapjes së dosjes, policia e Tiranës në rrugë zyrtare lajmëroi më 4 tetor 2008 se “Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, ka dokumentuar një vrasje të ndodhur gjatë vitit 1997. Është mundësuar tërësisht zbardhja e mekanizmit të ngjarjes dhe e autorësisë së vrasjes, të ndodhur 10 vite më parë të shtetasit Osman Zenel Marku, 59 vjeç, i cili u vra me armë zjarri të llojit automatik”, thuhet në njoftimin e policisë. Sipas tij, pas një rihetimi intensiv të kryer për dokumentimin e kësaj ngjarje, u konkludua se autor është shtetasi Agim Rexhep Sefa, 37 vjeç, banues në Bathore”.

Sherri nisi për “Pyllin e shenjtë”
TIRANE – Konflikti mes familjeve Sefa dha Marku sipas policisë ka nisur rreth 35 vjet më parë, kur të dy palët banonin në Kukës. Osman Sefa mësohet se kishte tentuar të priste dru në një pyll të zonës, por nuk ishte lejuar nga babai i Agim Sefës. Mes palëve ka pasur një konfrontim, por Osman Sefa është detyruar të kthehet pas pa prekur asgjë në pyll. Babai i Agim Sefës kishte pretenduar se zona ishte “vend i shenjtë”. Incidenti duket se ishte mbyllur me një mëri mes palëve por asgjë më shumë nuk kishte ndodhur. Disa ditë pas “përplasjes” në pyll, Osman Marku hakmerret për pengesën që kishte ndeshur në tentativën e tij për të prerë në pyll. Në një moment kur Agim Sefa ishte vetëm 2 vjeç, dhe krejt i vetëm në shtëpi, Osman Marku, sipas policisë ka shkuar aty dhe i ka prerë veshin fëmijës duke u larguar më pas në banesën e tij që ndodhej aty pranë. Mosmarrëveshjet duket se janë transferuar në kryeqytet bashkë me familjet respektive, të cilat u larguan nga Kukësi dhe u vendosën në Tiranë pas viteve ‘90. 

Sefa s‘pranoi akuzën në ‘97 dhe në ‘08

TIRANE – Vrasja e Osman Markut në vitin 1997, e cila për shumë kohë mbeti pa autor, është pasuar me një tjetër ngjarje. Vëllai i Agim Sefës, i akuzuar aktualisht për vrasje, është eliminuar fizikisht vetëm pak kohë pas krimit që i kishte marrë jetën Osman Markut. Nuk është e qartë nëse kjo ka qenë një hakmarrje, megjithatë Agim Sefa, nuk kishte pranuar autorësinë e vrasjes së Osman Markut në vitin 1997. Të njëjtin qëndrim, Sefa ka mbajtur edhe në tetorin e vitit 2008. Sipas hetuesve, 37-vjeçari ka pranuar mërinë me familjen Marku por në asnjë rast nuk ka pranuar autorësinë e vrasjes së 59-vjeçarit që i kishte prerë veshin 35 vjet më parë. “Nuk kam lidhje me atë ngjarje”, mësohet se është shprehur Agim Sefa, pas ndalimit në polici tetorin e vitit të kaluar me akuzën si autor i vrasjes së Osman Markut në vitin 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›